Kryeministri Edi Rama, ka rrëfyer përmes një klipi prej 6 minutash në mënyrë të përmbledhur, rreth tërmetit tragjik të 26 nëntorit në vendin tonë ku humbën jetën 51 persona dhe mijëra familje mbetën në qiell të hapur. 

Ai e ka filluar rrëfimin e veçantë me momentet e para të zgjimit nga lëkundjet dhe deri te përballimi i kësaj fatkeqësie me sukses, e cila u arrit edhe falë mbështetjes së shumë miqve që iu gjendën pranë vendit tonë në ato momente të zymta.

Kishte ndihma financiare përmes konferencës së donatorëve, por edhe me sjelljen e forcave të kërkim shpëtimit për shpëtimin e njerëzve dhe nxjerrjen e viktimave nga rrënojat e tërmetit në Durrës dhe Thumanë.

“U zgjuam natën nga tundjet e shtëpisë, ishin tmerr, menjëherë telefonatat, Durrësi keq. Aty ishte dhe epiqendra, mbërrin makina dhe nisem direkt për Durrës. Gjatë rrugës flisja me ministrat, kryetarët e bashkive. Nuk e kishim provuar kurrë më parë diçka të tillë në jetën tonë. I kam çuar në makinë në atë stres dhe nxitim sms disa shefa të qeverive që i ndjeja më afër në atë moment.

Arrijmë në Durrës. Arritja ishte drithëruese, shof banorët, Edisonin, një ish-deputet tonin që kërkonte motrën bashkë me fëmijët, ndërkohë kisha një frikë nga një ndjenjë vetmie si do dal nga kjo situatë për mijëra njerëz. Kanë qenë ditët më të çmendura të jetës sime, nuk mbaja mend më as datat pas 2 ose tre ditësh. Ndërkohë kujtoj frikën e njerëzve, ato daljet me furi kur dikush shpërndante lajmin se po vjen tërmeti. Halli ishte sa kampe mund të ndërtoja për këto familje.

Hotelet po mbusheshin. U jam mirënojës të gjithë pronarëve që hapën aq shumë lokale. As vetë s’e besoj se Shqipëria pati aq miq që na u gjenden në kërkim shpëtim, në atë moment aq të zymtë, as vetë s’e besoj.

Arritëm të mbledhim më shumë se 1 miliardë në Bruksel dhe ishte një çlirim i madh sepse që na atë moment Shqipëria s’kishte telash me financimin. Ishte e mrekullueshme se si të gjithë njerëzit në Shqipëri dhe diasporë u bëmë bashkë dhe më e keqja kaloi.

Çdo krizë është një mundësi dhe e dija se duhet ta shndërronim këtë krizë në një prespektivë të re, por edhe për Shqipërinë për një rast për të dalë më të lidhur me njëri-tjetrin, qeveria me popullin. Dhe kështu po ndodh njerëzit kanë filluar të kthehen në shtëpi, fëmijët në shkolla fantastike që as nuk krahasohen me ato që humbën atë natë. Sapo kanë nisur pallatet e para që do jenë po aq fantastike sa lagjet e reja.

Njerëzit ankohen me të drejtë sepse ka ende për të bërë, unë nuk kënaqem kurrë nga vetja. Në këtë punë kam mësuar durimin. Duhet shumë durim. Shqipërinë e gjetëm si ato pallatet që ranë dhe po e mbajmë. Na duhet kohë dhe punë e durim, sepse përkushtimi i madh nuk na mungon”, tha Rama.