Një vit pas vrasjes tragjike të studentes 22-vjeçare shqiptare, Ilaria Sula, familja e saj vazhdon të jetojë mes dhimbjes së thellë dhe kërkesës për drejtësi.

Babai i saj, Flamur Sula, shprehet se ndoshta ngjarja mund të ishte parandaluar nëse nëna e autorit do të kishte reaguar ndryshe.

“Ndoshta Ilaria mund të ishte shpëtuar. Nëse nëna e vrasësit do të kishte ngritur alarmin në vend që ta ndihmonte të pastronte gjakun, gjërat mund të kishin shkuar ndryshe. Ajo është e rritur dhe, sipas mendimit tim, është më fajtore se djali i saj,” u shpreh ai.

E enjtja, 26 mars, shënon një vit nga krimi i rëndë që tronditi opinionin publik. Sipas rrëfimit të dhënë nga i pandehuri në gjykatë, ngjarja ka ndodhur në fund të marsit, ndërsa familja Sula e kujton fillimin e makthit më 29 mars, kur Ilaria nuk u kthye më në shtëpi.

Autori i krimit ndodhet aktualisht në burg në pritje të dënimit, ndërsa nëna e tij ka arritur një marrëveshje me drejtësinë dhe është dënuar me dy vite burg për përfshirje në fshehjen e trupit.

Flamur Sula e konsideron këtë vendim të padrejtë. “Tani ajo bën sikur qan, por kjo është e pabesueshme. Kjo nuk është drejtësi për mua. Dhimbja jonë nuk mbaron kurrë – ky është dënimi ynë i përjetshëm,” thotë ai, duke shtuar se familja e tij jeton çdo ditë me mungesën e vajzës.

Nëna e Ilaria-s, Gëzime Sula, e kujton vajzën përmes një mesazhi prekës në rrjetet sociale, duke e quajtur atë “yllin e saj të vogël” dhe “një engjëll të mrekullueshëm”.

Në përkujtim të saj, në qytetin e Ternit u zhvilluan aktivitete sensibilizuese kundër dhunës me bazë gjinore. Në “Casa delle Donne” u mbajt një takim me diskutime, lexime dhe prezantime artistike, ku u theksua rëndësia e edukimit dhe ndërgjegjësimit të brezave të rinj për të luftuar dhunën në shoqëri.

Ngjarja u shoqërua edhe me prezantimin e veprës artistike “Lule të Prera”, e cila simbolizoi jetët e ndërprera nga dhuna.

Ndërkohë, procesi gjyqësor ndaj autorit vazhdon. Në seancën e fundit ai ka rindërtuar detaje të krimit dhe mënyrën e fshehjes së trupit. Seanca e radhës është caktuar për më 19 maj.