Supermodelja Gigi Hadid u bë nënë në tetorin e vitit të kaluar dhe prej shumë kohësh nuk kemi pasur më rastin ta shohim të bëjë atë që di të bëjë më mirë, të sfilojë në pasarelat gjigante. Por duket se ajo ka vendosur të rikthehet dhe ka zgjedhur mënyrën më origjinale për ta bërë këtë.

Gigi Hadid mbylli sfilatën e modës së markës së famshme Moschino, në Javën e Modës në New York, duke kafshuar një biberon që mbante në dorë.

Ky ishte një debutim i jashtëzakonshëm i shtëpisë italiane në NYFW, që u zhvillua në qendër të Parkut Bryant. Të ftuarit ishin veshur shumë trendy, të ulur në karrige të vogla të bardha, ndërsa mbanin disa çadra elegante, pasi shiu vazhdoi gjatë gjithë spektaklit të modës.

Modelet sfiluan me veshje që dukeshin si batanije bebesh, të zbukuruara me gjirafa 3-D, ketra dhe arinj, ndërsa çantat ishin në formën e arushave prej pelushi. Supermodelja Taylor Hill mbante në kokë një kurorë që ngjante si lodër fëmijësh.