Nga BESNIK BEDOLLARI

Viti 2014, një vit domethënës që ka mprehur ‘shpatën’ e marrëzisë apo, në të kundërt, viti që ka zgjedhur të rrëmbejë në rrugëtimin e tij figurat më të shquara të artit shqiptar. A ndihet i lehtë në peshën e kohës, apo do të mbetet mëkatari në gjerdanin e viteve të shekullit të ri? Tashmë ka hyrë pa doganë dhe i gjendur në flagrancë me fushën e artit dhe të gjuhësisë, ka trazuar ndjenjat e artdashësve, intelektualëve dhe të protagonistëve të auditorëve teatralë. Karvanin e lamtumirës e nis Vaçja, për ta ndalur hapin me gjuhëtarin e shquar Shaban Demiraj. Gjurmët e tyre kanë ngulitur rrënjë të thella, që as historia nuk mund t’i shkuli në kohëra.

Kështu po thyhen lisa nga pyjet e intelektualizmit, por gjurmët që lanë pas janë veç vesë pranverore që qep kostumin  e lotëve të nostalgjisë duke kujtuar emocionet që i falën kaq shumë publikut nëpër skena pafund. Sa shumë buzëqeshje, sa shumë art, sa shumë kulturë dhe shkencë atdheut të tyre! Por ajo që na bën të ndjeshëm është se një komb i vogël si Shqipëria ka nxjerrë nga gjiri i vet figura që nguliten në kalendarët e arkivave të historisë. Edhe pse gjurmët e tyre mbeten të pashuara nga pluhuri i kohës, sot lind pyetja nëse do të konkurrohet kjo gjeneratë e tërë artistësh. Pa paragjykuar një sistem të kaluar, mund ta themi me ndërgjegjen e plotë se kultivimi i personaliteteve qe i bollshëm dhe tepër cilësor. Dhuruan dhe falën kaq shumë mund, art dhe shkencë për kombin. Le të kthehemi pak çaste në moshën tonë të fëmijërisë. Të tunduar nga dëshira  e madhe për të parë një festival, një teatër, film apo koncert, nguliteshim para atij ekrani të vogël dhe modest, ashtu mes shokësh moshatarë, sepse jo të gjithë kishin mundësinë e një televizioni. Ndjenim kërshërinë që dhuronin artistët si në muzikë dhe kinematografi. Kujt mund t’i hiqet nga mendja zëri i Vaçes, apo humori plot sheqer dhe sarkazëm i Vanit dhe Lipit, nënat trime si Liza Laska, apo e madhja Drita Pelingu. Akademikëve dhe gjuhëtarëve u mungon burimi dhe pena e gjuhësisë së Shaban Demirajt.

Ironia e fatit bëri që shumë yje nga galaktika e artit të këputen duke shkuar, ashtu së bashku drejt përjetësisë së pashuar. Ndoshta 2014-ta do jetë viti “fatlum” që rrëmbeu një pasuri në rrugëtimin e vetes, apo viti i veshur me shiritin e zi të një arkivi trishtim-ndezur. Piedestali ku qëndrojnë buqetat shumëngjyrëshe me aromën e pashuar, shtroi binarët e palëkundur që treni i nisur, të rendë stacioneve të shekujve dhe plejadave me radhë. Të pavdekshmit kanë fatin e mirë se mbeten shkëndija drite në fronin qiellor të ujësive. Kush me zë të lartë e kush më pak, ata mbeten pllakat në memorialin e artit shqiptar. Por a do të ecin në gjurmët dhe me hapat e tyre brezat e rinj sot, në shoqërinë e horizonteve pa kufi? Sot këta “heronj” po lënë një boshllëk të madh në fushën e tyre të betejës artistike dhe trashëgimisë kulturore. A do të jemi në gjendje, ne, shoqëria, sot të mbajmë të gjallë po atë vepër që na lanë trashëgimi? Kjo mbetet për t’u parë me kohën, por sot u jemi mirënjohës pa fund për atë çka ditën të na falin veshur me respekt e plot kujtim heronjtë e kinematografisë dhe akademisë shqiptare. Mirënjohje dhe respekt figurës dhe veprës së tyre të ndritur!

/Shekulli, 7 nëntor 2014/