Një vizitore aspak tipike në Durrës. Me instrumentin e saj dhe muzikën krejt ndryshe që luan në zonat më kryesore të qytetit bregdetar tërheq jo pak vëmendjen e turistëve dhe rezidentëve lokalë.  

Prej pak ditësh, Rosemary Yung nga Hong Kongu ndodhet në Durrës. Është qytetare e botës, pasi që nga viti 2015 është përherë në udhëtim.

“Unë udhëtoj gjithmonë dhe luaj muzikë me lahutën time, që është një instrument i kulturës kineze. Interpretoj pjesë të ndryshme muzikore me origjinë nga kontinenti aziatik, por edhe muzikë evropiane. Unë kam nisur të luaj muzikë që në moshën 8-vjeçare. Interpretoj më shumë në Evropë, në vendet e Ballkanit, por edhe në Japoni etj”.

Deri më tani nuk ka krijuar familje, por është e hapur ndaj idesë.

“Në shkurt dhe mars isha në Hong Kong. Kisha 8 vite që nuk shkoja, sepse kam jetuar në Evropë. Mendoj të krijoj familje, por jo tani për tani. Të shohim çdo të na sjellë jeta”.

Si vegjetariane që është, restorantet i frekuenton shumë pak. Është rikthyer në Shqipëri pas 2 vitesh, sepse e pëlqen vendin e shqiponjave.

“Isha këtu 2 vite më parë. Shkova në Tiranë, Sarandë dhe Berat. Ju jeni njerëz shumë të mirë, më pëlqeni. Çmimet këtu janë më të lira sesa në Evropë. Njerëzit interesohen për muzikën time, sidomos kur luaj në zonën bregdetare. Turistët sidomos.”

Destinacioni i saj i radhës pas disa ditësh të tjera në Durrës, do të jetë Kosova. Më pas, kushedi se ku… Në fund të fundit, perveçse muzikante ajo mbetet udhëtare në shpirt. 

M.B.