Pas daljes nga Gjykata e Apelit, deputeti i PD-së Ervin Salianji deklaroi se vendimi i marrë sot është krejtësisht politik. Ai hodhi akuza ndaj Partisë Socialiste, veçanërisht ndaj ish-ministrit Fatmir Xhafaj duke theksuar se ai e dërgoi vendimin “me vulë përmes avokatit të tij”. 

“Siç edhe besoj e ndoqët në seancë gjyqësore, Gjykata kishte ardhur me vendim të parapërgatitur. Seanca e kaluar u shty për të marrë vendimin e falsifikuar për të hapur këtë proces gjyqësor për kallëzim të rremë. Për t’i dhënë mundësi Fatmir Xhafajt për të sjellë përmes avokatit të tij vendimmarrjen me vulë të njomë. Vendim i shkruar! Vendimmarrje e gjykuar nga gjyqtarë që është njësoj sikur të gjykojë një përfaqësues i PS një seksion të PD. Nga të dhënat që kam mbledhur këto ditë, duke qenë se gjyqi u shty, duhet ta dini se njëra prej gjyqtareve është kunata e Belinda Ballukut. 

Një prej gjyqtarëve të tjerë, një superordiner. Është njeri që në çdo tavolinë thotë do shkoj në Gjykatë të Lartë e për këtë vras njeri, jo më të dënoj një deputet të PD-së. Është një dosje e kopsitur nga fillimi deri në fund. Vendimmarrje politike, dënim politik. Dënim i parë për agjitacion e propagandë në 32 vite. Unë nuk kam bërë një betejë për veten, për interesa personale, për të vjedhur, për trafik droge, për të vrarë, por një betejë kundër maskarenjve në këtë vend. Ky është akti i parë, në të ardhmen do keni procese të tjera gjyqësore mamale. Jo babale! Kjo nuk është asgjë. Jam i nderuar dhe kam një medalje që shndrit në karrierën politike. Do i hyjmë procesit me themel”, deklaroi deputeti.