Policia e Tiranës ka reaguar pas publikimit të mesazhit të qytetarit dixhital nga ish-kryeministri Sali Berisha, se është kërcënuar me jetë polici i cili po heton djalin e deputetit socialist Rrahman Rraja, për përdhunim.
"Në lidhje me një status të publikuar në rrjetin social fb nga deputeti Sali Berisha, ku pretendohet se Policia e Tiranës ka fshehur një ngjarje, sqarojmë se Policia e Shtetit ka kryer të gjitha veprimet proceduriale.
Në datë 30.07.2018 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës” në ngarkim të shtetasve R.Rr., 25 vjeç dhe R.Rr., 33 vjeç, banues të dy në Tiranë (të afërm të shtetasit Rr. R.,) pasi në rrugën “Sokrat Miho”, për shkak të detyrës kanë kanosur punonjësin e policisë, shtetasin E. N., 32 vjeç, banues në Tiranë.
Ngjarja nuk është mbajtur e fshehur, por është publikuar në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit sipas procedurës standarde në datë 31.07.2018."





