Idea se njerëzit më inteligjentë janë disi më të rrezikuar nga çrregullimet mendore është pasqyruar gjerësisht në filma e romane, por tashmë stereotipi shoqëror i ‘gjeniut të torturuar’ po gjen edhe mbështetje shkencore.
Një studim i ri i publikuar në rrjetin Science Direct, analizonte studentë me indeks inteligjence (IQ) prej mbi 130, dhe arrinte në konkluzionin se “njerëzit me inteligjencë më të lartë janë shumë më të rrezikuar nga çrregullimet psikologjike apo sëmundjet fiziologjike”.
Studimi zbulonte se çrregullimet e ankthit mbizotëronin në shumicën e 3,715 studentëve të universitetit American Mensa. Mes tyre, 20 përqind ishin të diagnostikuar me çrregullime të anthit, që është shumë më e lartë se mesatarja prej 10 përqind në popullatën normale.
Studimi sugjeron se prej rritjes së nivelit të ndërgjegjësimit personal të njerëzve me inteligjencë më të lartë, ata reagojnë më shumë ndaj stimujve të mjedisit, duke krijuar një skenar super/tru-super/trup, i cili pasqyrohet në një sistem nervor hiperaktiv.
Për ta, edhe stimujt më të vegjël, si për shembull ngacmimi i etiketës së një bluze prapa qafës, apo një zhurmë e çuditshme, mund të shkaktojë “reagim stresi kronik që aktivizon përgjigje të ekzagjeruara të super-trupit”, shkruan Dr. Nicole Tetreault, bashkëautore e studimit, prandaj këta njerëz mund të vujanë nivele të larta ankthi.
“Një pjesë e konsiderueshme e këtyre individëve kanë vuajtje të përditshme si rezultat super-eksitimit të tyre emocional dhe fizik”.
Autorët theksojnë se studimi i tyre pasqyronte bashkërenditje dhe jo lidhje shkak-pasojë, dhe se nevojiten hetime të mëtejshme mbi popullatën e rrezikuar, dhe shëndetin mendor të njerëzve me inteligjencë më të lartë.