Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora ka mbërritur ditën e djeshme në Tiranë, përpara koncertit gjigant që do të mbahet në sheshin “Skënderbej”.
Rita Ora e shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi Liceun Artistik “Jordan Misja”.
Aty ishin të pranishëm shumë nxënës dhe të diplomuar nga liceu, të cilët nuk nguruan të bëjnë pyetje dhe të marrin përgjigje nga këngëtarja.
Një prej pjesëmarrësve në sallë e pyeti Ritën se si ia doli të depërtonte në tregun ndërkombëtar, kur në fakt ishte shqiptare.
31-vjeçarja u përgjigj se nuk ka qenë shumë e lehtë, pasi në fillimet e saj njerëzit e paragjykonin për prejardhjen, madje edhe për ngjyrën e lëkurës.
“Jam kosovare, vij nga një vend që quhet Shqipëri dhe në fakt është një vend i mbushur me njerëz të mrekullueshëm. Dhe ata ishin si: ‘Po, por lëkura juaj…lëkura juaj është pak më e errët, ti nuk ke lëkurë aq të bardhë’, dhe unë isha: Çfarë? A i keni parë njerëzit që vijnë nga vendi im? Ne jemi kaq ekzotikë, ne dukemi sikur vijmë nga vende të ndryshme, ne jemi të bukur brenda dhe jashtë, jo vetëm fizikisht”, tha këngëtarja.
Më tej ajo tregoi se gjithmonë ka folur me krenari për origjinën e saj që në hapat e para të karrierës, pa marrë parasysh për atë se çfarë të tjerët do të thonin në lidhje me prejardhjen e saj.