Prej vitesh Shpresa Prodani i është përkushtuar administrimit të kompanisë së saj Dyrrahsped, e specializuar në fushën e transportit ndërkombëtar. Ndërsa përreth 20 vjet ka ushtruar profesionin e mësueses në shkollat profesionale të qytetit, fati e solli që, pas një fatkeqësie familjare, ajo të merrte në dorë drejtimin e kompanisë së ngritur me mund dhe sakrifica nga i shoqi i saj, Shpëtim Prodani.

Siç shprehet dhe vetë, fillimi nuk ka qenë aspak i lehtë, por me vullnet dhe përkushtim, tipare këto mjaft të theksuara në karakterin e Shpresës, arriti t’ia dalë mbanë. Si faktor mjaft të rëndësishëm për suksesin e kompanisë ajo nuk harron të përmendë edhe stafin me të cilin punon dhe djalin e saj që, të gjithë së bashku, përbëjnë hallkat e forta që vënë në lëvizje ingranazhin e kompanisë Dyrrahsped. E vendosur për të mos u tërhequr përpara çdo pune, sado vështirësi që mund të paraqesë ajo, Shpresa thekson se një nga çelësat e suksesit të saj është qetësia që e karakterizon, që në situata të vështira i jep mundësi të gjykojë drejt dhe të marrë vendime të rëndësishme. 

Zonja Shpresa ju keni disa eksperienca pune të ndryshme nga njëra tjetra. Cilat kanë qenë vështirësitë me të cilat jeni përballur tek secila  prej tyre?

Unë do të thoja që njeriu ka një përvojë jetësore që akumulohet në vite e prej të cilës nxirren mësime. Si profesion unë jam inxhiniere dhe në përgjithësi kam punuar në shkollat profesionale, të cilat kanë një specifikë shumë të veçantë, sepse të impenjojnë të japësh më të mirën nga vetja jote për të nxjerrë teknikë të aftë. Kjo nënkupton që gjatë të gjithë kohës duhet të lexosh vazhdimisht, duhet të informohesh mbi çdo zhvillim të ri teknologjik që mund të jetë i dobishëm për t’ia transmetuar brezit të ri. Kjo eksperiencë erdhi duke u zhvilluar gjithnjë e më shumë për t’u konkretizuar më pas në një projekt zvicerian që ishte një përvojë shumë pozitive jo vetëm në drejtim të  profesionalizmit, por edhe në drejtim të menaxhimit të punës, të administrimit të njerëzve dhe bazës materiale, hartimit të projekteve shumë teknike e moderne etj. Në të njëjtën kohë mbaja lidhje të ngushta edhe me biznesin që kishte ngritur im shoq. Dua të theksoj këtu marrëdhënien e veçantë që ne kemi pasur, më shumë si shokë sesa si bashkëshortë. Shumë gjëra i diskutonim dhe i vendosnim së bashku. Ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm në drejtim të administrimit dhe menaxhimit të punës, unë kam mësuar shumë prej tij.

Kjo më ka ndihmuar për të rritur aftësitë e menaxhimit dhe për të drejtuar biznesin pas ndarjes nga jeta të tim shoqi. Ishte një biznes që bashkëshorti im e kishte ndërtuar më shumë mund, me shumë sakrifica prandaj dhe unë nuk e pashë të arsyeshme ta ndërpres. Ishte një biznes i nisur që herët dhe kushdo që operon në këtë fushë e di sesa vështirësi apo të papritura të dilnin përpara. Pikërisht për këtë të duhet shumë mund që të afirmohesh dhe të bësh emër. Duhet të krijosh besimin e duhur tek personat me të cilët bashkëpunon, tek klientët. Nëse këto i arrin, atëherë, gjithçka nis e bëhet më e lehtë. Pas vdekjes së bashkëshortit, në një moshë relativisht jo të re unë mora mbi vete një detyrë jo pak të vështirë, pasi dhe djali në atë kohë ishte i ri. Dua të theksoj këtu se për mua nuk ka rëndësi nëse është burrë apo grua ai që do të marrë përsipër të kryejë një detyrë. Kur merr përsipër diçka duhet ta çosh deri në fund dhe ta realizosh sa më mirë që të jetë e mundur. Në punën time, një ndihmesë e madhe për mua ka qenë dhe stafi shumë i përgatitur me të cilin  punoj, si dhe djali im, Jonadri, i cili konstatoj se vit pas viti po rritet, po piqet dhe ajo që vë re me kënaqësi, edhe si nënë edhe si administratore, është se ai po korr sukses në punën që bën. 

Ju bashkëpunoni përgjithësisht me klientë shqiptarë dhe të huaj. Sa e kujdesshme jeni në krijimin e raporteve që ngrihen duke u bazuar tek besimi reciprok?

Krijimi i këtyre raporteve është mjaft i domosdoshëm për mbarëvajtjen e punës. Në këtë aktivitet konkurenca është mjaft e fortë prandaj të duhet gjithnjë të punosh shumë për të siguruar një emër të mirë si dhe për t’u krijuar klientëve dhe partnerëve besim. Serioziteti dhe rigoroziteti në punë janë armë shumë të fuqishme. Duke mos dashur të nxjerr emra po përmend një shembull. Këto ditë pranë kompanisë sonë është afruar një klient shumë i rëndësishëm, i cili krahas vlerësimit për cilësinë e punës së kryer deri tani nga ne ka vlerësuar shumë edhe background-in e mirë të njerëzve që punojnë tek Dyrrahsped.  

Ju u bëtë administratore e një kompanie transporti ndërkombëtar pa pasur eksperiencë në këtë fushë. A jeni përballur kohët e para me skepticizmin e njerëzve?

Ajo që dua të theksoj unë në këtë rast është fakti se puna që realizon ndikon në vlerësimin që jep tjetri për ty. Unë nuk do të nisesha asnjëherë nga paragjykime të tilla nëse në krye të një biznesi është një burrë apo një grua. Ndoshta edhe meshkujt mund të përballen me skepticizmin e kolegëve apo ortakëve. Prandaj them që njeriu duhet vlerësuar gjithnjë nga puna që bën. Kam qenë gjithnjë e aftë të menaxhoj çdo lloj situate të vështirë me qetësi dhe kjo sipas miqve të mi është një nga anët e mia më të mira.

Po nëse u referohemi raporteve me kompanitë e huaja. A janë ato skeptike ndaj administratoreve femra?

Ka raste, nuk mund ta mohoj ekzistencën e tyre, por asnjëherë nuk kanë qenë shumë të theksuara ose që të ndikonin në mbarëvajtjen e punës.

Flitet gjithnjë për raportet mes meshkujve dhe femrave. Po nëse do t’i referohemi raporteve mes femrave si do t’i vlerësonit ju raportet me vartëset tuaja?

Në përgjithësi, qoftë raportet me meshkujt, qoftë ato me femrat unë do t’i vlerësoja si mjaft të mira, mjaft pozitive. Edhe në rastet kur jemi përballur me problematika të caktuara në punë kemi mundur t’i shoshisim shpejt ato. 

Në këto kohë krize botërore edhe në vendin tonë kanë nisur të ndihen efektet negative të saj. A është e vështirë të menaxhosh një biznes tani dhe sa ndihet kriza?

Është e vërtetë që kriza ndihet. Por dua të theksoj se meqë bashkëpunojmë prej vitesh me klientë fiks nuk e kemi ndjerë aq shumë. Gjithsesi vlen për t’u përmendur fakti se kriza më shumë ndihet në sasinë e parave që çdo biznes vendos për të investuar. Në aktivitetin tonë jemi të detyruar që të investojmë çdo vit për blerjen e mjeteve të reja të transportit dhe pikërisht këtu ndihet më tepër kriza. Pra ajo që e tremb më tepër biznesin është investimi në këto kohë krize.

Është folur shpesh për taksën e peshës, një detyrim financiar që rëndon shumë mbi kurrizin e kompanive të transportit ndërkombëtar. Sipas mendimit tuaj a ka nevojë për ndërhyrje legjislacioni shqiptar për të rregulluar më mirë marrëdhëniet në këtë fushë?

Në përgjithësi legjislacioni shqiptar në fushën e transportit është i një niveli të kënaqshëm. Nuk diskutohet që ka vend për ndërhyrje, pasi në disa pika  të veçanta të tij nuk është shumë i qartë, lë vend për interpretime të ndryshme. Ajo për të cilën duhet ndërhyrë menjëherë është heqja e taksës së peshës në Itali, një detyrim absurd për kompanitë shqiptare të transportit.

Duke u kthyer dhe njëherë tek çështjet e grave. Cilat do të ishin këshillat që do t’i jepnit femrave që kërkojnë të afirmohen në profesionet e tyre, të bëjnë karrierë?

Pikë së pari duhet mbështetja e familjes, pa këtë asnjë grua nuk mund të çajë dot përpara. Nga ana tjetër duhet që femra të bëjë shumë për rritjen e saj profesionale dhe intelektuale. Duhet të studiojë dhe të impenjohet shumë në profesionin apo detyrën që mbulon. Nëse punon me përkushtim gjithçka është e arritshme.