Farjon Palushi dhe Daniel Manushi, dy të rinjtë që ranë në prangat e policisë së Tiranës, pasi akuzohen si autorët kryesorë të ngjarjes së djeshme, ku mbetën të plagosur Aleksandër Nikolli dhe Xhulio Vela, nuk janë persona të panjohur për autoritetet.
Daniel Manushi, është arrestuar në nëntor të vitit 2017, pasi ka plagosur me armë efektivin e policisë, Ermal Bregun. Manushi 23-vjeç në atë kohë, qëlloi me armë zjarri policin duke e lënë të plagosur.
Farjon Palushi, 27 vjeç, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ai u kap në qershor të 2021, pas një operacioni të policisë për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Ndërsa Islam Xhetani, i shpallur në kërkim, vetëm disa vite më parë u ekstradua nga Bullgaria, pasi ishte dënuar për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”.
Kujtojmë që ditën e djeshme, personat në fjalë rreth orës 17:00, në kryqëzimin e rrugës “Ndre Mjeda” me rrugën “Frosina Plaku”, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri shtetasit Aleksandër Nikolli, 28 vjeç dhe Xhulio Vela, 26 vjeç, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.