Mason Wells, 19-vjeçar i mbijetoi për të tretën herë sulmeve terroriste, ndaj konsiderohet si njeriu më me fat në botë.

Ai ishte në aeroportin e Brukselit të martën kur u dëgjuan shpërthimet, duke mbetur i plagosur, por që mjekët kanë dhënë garancinë për jetën e tij. 

Ai është një misionar i kishës mormone dhe më 13 nëntor, datë kur ndodhën sulmet e Parisit, ishte pikërisht në kryeqytetin francez, ndërkohë që kishte qenë shumë pranë vendit ku kishte shpërthyer bomba edhe në Maratonën e Bostonit.

“Është një mrekulli nga Zoti që Mason është ende gjallë. Kjo është hera e tretë që i shpëton një sulmi terrorist. Ishte ne Paris vitin e kaluar, ndërsa ishim edhe në Boston”, tregoi i ati, Chad Wells, në “Abc News”.

19-vjeçari ndodhej bashkë me një tjetër misionar në aeroportin e Brukselit dhe pësoi disa dëmtime në këmbë si dhe djegie në fytyrë dhe duar. Aktualisht, ai është nën kujdesin e mjekëve në një spital në Belgjikë.