Dhjetra drejtues mjetesh janë ndëshkuar për shkelje të ndryshme të kodit rrugor gjatë ditës së sotme në rrugën e Arbrit. Njësia Operacionale për Sigurinë Rrugore në varësi të Drejtorisë së Policisë Rrugore u ndal këtë të enjte në Qarkun Dibër, kryesisht në rrugën e Arbrit, në pikat e zeza ku ka patur aksidente sëfundmi.
Gjatë monitorimit me pajisje inteligjente si Dron, Radar, alkooltestues, janë ndëshkuar dhjetra drejtues mjetesh me masa administrative. Në objektivin e radarit të njësisë operacionale ranë 134 drejtues mjetesh që lëviznin me shpejtësi tej normës së lejuar, 32 parakalime të gabuara të cilat u konstatuan me pajisjen Dron si dhe disa drejtues mjetesh kryesisht të transportit publik u testuan për përdorim alkooli.
Gjithashtu, oficerët e Njësisë Operacionale për Sigurinë Rrugore ndëshkuan me masë administrative 76 drejtues mjetesh për përdorim telefoni gjatë vozitjes dhe mosvendosje të rripit të sigurimit. Aksioni u zhvillua në segmentin e rrugës së Arbrit në Gjoricë ku që prej hapjes së tij për qarkullim janë regjistruar disa aksidente me pasoja në humbje jete njerëzore.





