Ish-kryeministri, Sali Berisha, këtë të hënë, ka dhënë një deklaratë për mediat, ku ka hedhur akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama.

Berisha gjatë fjalës së tij ka bërë një krahasim me situatën politike në Rusi dhe në vendin tonë.

Ai tha se njësoj si Putin me Navalny-n, kryeministri Rama kërkon ta arrestojë pa asnjë provë.

“Putin ka zhdukur Navalny se ka frikë se mos regjistrohet si kandidat për president, Putin e ka frikë Navalny edhe në burg, Rama bëri të njëjtën gjë, nuk lejoi emrin tim të regjistrohet si kryetar i koalicionit, nuk lejoi as regjistrimin e PD nga frika dhe tmerri dhe ja ku jemi sot me një zinxhir të veprimeve antikushtetuese ka vendosur të dënojë me arrestim Berishën, pa asnjë fakt, pa asnjë provë”, tha ai.

Bërisha theksoi se në procesin e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, asnjë dokument nuk është firmosur nga vetë ai.