DURRËS, 17 nëntor 2014–  Këngëtari i njohur Aleksandër Gjoka ka përgatitur një këngë enkas për të ndjerin Sokol Olldashi me rastin e njëvjetorit të vdekjes së tij. Kënga është orkestruar nga Shpëtim Saraçi dhe do të publikohet më 20 nëntor në një ceremoni që do të organizohet në Tiranë, sikundër shihni dhe posterin përbri këtij lajmi. “Me Sokolin” është titulluar nga organizatorët, ceremonia përkujtimore në ndër të ish-ministrit të Transporteve, i cili ka dhënë kontribut disavjeçar në politikën shqiptare, po ashtu dhe si deputet i Kuvendit të Shqipërisë që nga viti 2001.

Ftesa e shpërndarë nga miqtë e ngushtë të Sokol Olldashit në pjesën e parë të saj mban firmën e ish-deputetit demokrat. Kurse në anën tjetër është vendosur fotografia e tij me nënshkrimin: “Takohemi të enjten më 20 nëntor 2014, ora 18:00, në sallën ‘Apollonia’ në hotel Rogner. Miqtë e Sokol Olldashit”. 

Sokol Olldashi gjeti vdekjen në një aksident rrugor që ndodhi pasditen e 20 nëntorit 2013 në rrugën Elbasan-Tiranë pranë fshatit Kërrabë, në segmentin ekzistues të rrugës nacionale. Olldashi humbi jetën kur automjeti të cilin drejtonte, doli nga rruga në rrethana të paqarta dhe ra në greminë. Autoritetet hetimore thanë se vdekja e Olldashit ishte aksidentale.

/agjencia kombëtare “Noa”/