Një ekspozitë plot ngjyra është çelur në qendrën kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Kjo është puna 5-vjeçare e Sonja Mustafës.

Ajo është vetëm 17 vjeçe dhe ka zgjedhur që kohën e lirë t’ia dedikojë pasionit të saj më të madh, pikturës.

Më pëlqen shumë të pikturoj portrete, sepse ato janë pjesa më e rëndësishme e pikturës dhe shpeshherë më e parapëlqyera e shumë njerëzve“, tregoi ndër të tjera për “DurrësLajm“.

Ndonëse ende nuk e ka vendosur, se cili do të jetë profesioni i saj i jetës, Sonja diçka e di me siguri: Koha e saj e lirë gjithmonë do të përkthehet në një vizatim të bukur.

Unë ende nuk e kam vendosur se çfarë do të bëhem, por jam drejtuar tek degët e mjekësisë, sepse më pëlqejnë shumë lëndët e kimisë dhe biologjisë. Pikturën për momentin e shoh më shumë si një pasion, sepse është diçka që unë e bëj për të kaluar kohën e lirë”, tha ajo.

Mbështetja më e madhe për të është sigurisht familja, e sidomos nëna, së cilës Sonja i ka kushtuar dy piktura në këtë ekspozitë, të cilën ka vendosur ta emërtojë “Fisnikëri”.

Kjo vjen edhe si një simbolikë për atë se çfarë 17-vjeçarja tenton t’i përcjellë me pikturat artadashësve durrsakë, të cilët do të kenë mundësi t’i shohin ato deri më datë 6 tetor në hollin e qendrës kulturore.

K.Gj.