Peshonte sa një pulë dhe ishte pak më i lartë se një sorrë, por një dinozaur i vogël i zbuluar në Patagoni mund të ketë një rol të madh, të rishkruajë historinë e evolucionit.

Rreth 90 milionë vjet më parë, mes dunave të asaj që sot është Patagonia argjentinase, vraponte duke gjuajtur hardhuca dhe gjitarë të vegjël një nga dinozaurët më të vegjël të njohur ndonjëherë. Ai quhet Alnashetri cerropoliciensis, emër i marrë nga fshati Cerro Policia, pranë vendit ku u gjet skeleti i tij i ruajtur në mënyrë të jashtëzakonshme.

Fosili u zbulua në vitin 2014 nga një ekip studiuesish argjentinas dhe amerikanë. Pas vitesh studimi, një kërkim i publikuar në revistën Nature zbuloi detaje të reja mbi këtë krijesë të lehtë, rreth 40 centimetra të lartë dhe 70 centimetra të gjatë (pjesa më e madhe bisht). Për shkak të këmbëve të holla, studiuesit e kishin pagëzuar me nofkën “patas flacas”.

Ky është ekzemplari i dytë i gjetur në zonën La Buitrera, në provincën Rio Negro. I pari, i zbuluar në vitin 2004, ishte i paplotë dhe pa gjymtyrë, çka e bënte të vështirë përshkrimin e plotë të species.

Kur, dhjetë vjet më vonë, nën shtresat e shkëmbit dhe rërës u zbulua “Alna”, një femër e rritur rreth katërvjeçare me skelet pothuajse të plotë, përfshirë kafkën dhe vertebrat, studiuesit arritën të kuptonin më shumë për këtë dinozaur të familjes së alvarezsauridëve, një grup teropodësh të vegjël e të mesëm të përhapur në Azi dhe Amerikën e Jugut.

Për vite me radhë besohej se këta dinozaurë kishin lidhje të afërta me zogjtë. Në fakt, ata rezultojnë të kenë qenë mishngrënës të vegjël, të afërt me Compsognathus (të njohur si “compy” në filmin Jurassic Park).

Falë zbulimit të Alna-s dhe rishqyrtimit të fosileve në muze të Amerikës së Veriut dhe Evropës, studiuesit arritën në përfundimin se alvarezsaurët kanë origjinë shumë më të hershme nga sa mendohej, në kohën kur kontinentet ishin ende të bashkuara në superkontinentin Pangea. Përhapja e tyre globale lidhet me ndarjen e mëvonshme të masave tokësore, dhe jo me kalime të pamundura oqeanike.

Sipas ekspertëve, të udhëhequr nga Peter Makovicky i Universitetit të Minesotës dhe Sebastian Apesteguía i Universitetit Maimonides në Buenos Aires, kjo specie kishte dhëmbë të gjatë e të fortë, të ngjashëm me ata të një velociraptori.

Deri vonë mendohej se alvarezsaurët e vegjël kishin gjymtyrë shumë të shkurtra dhe dhëmbë të vegjël, si përshtatje ndaj një diete me milingona dhe termite. Por Alna nuk përputhet me këtë model. Ajo kishte gjymtyrë të përparme më të gjata dhe dhëmbë më të mëdhenj, duke treguar se disa linja të këtij grupi u miniaturizuan përpara se të zhvillonin tiparet tipike të një diete insektivore.

Mendohet gjithashtu se mund të ketë pasur pendë me ngjyra, por me siguri nuk fluturonte. Epoka në të cilën jetoi Alna, një nga dinozaurët më të vegjël të njohur, tregon se “epoka e gjigantëve të jugut” nuk ishte vetëm një epokë gjigantësh, por një periudhë me diversitet të jashtëzakonshëm.

Sipas studiuesve, kalimi nga skelete fragmentare te një ekzemplar pothuajse i plotë është si të gjesh një “Gur Rozete” të paleontologjisë, pasi krijon një pikë referimi për të kuptuar më mirë evolucionin dhe ndryshimet anatomike të këtij grupi.

Ndërkohë, fosile të tjera nga Patagonia janë ende në përgatitje laboratorike dhe mund të zbulojnë sekrete të reja mbi këta “të vegjël të mëdhenj” të historisë së Tokës. /La Repubblica