Krocera më e madhe në botë, e cila do të lëshohet në det në muajin janar, është etiketuar “monstër”, ndërsa inaugurimi i saj pritet t’i ngjajë atij të Titanikut. Ka 19 kate dhe mirëpret 5600 pasagjerë, ndërsa biletat janë rreth 11 mijë euro.

Ka marrë emrin “Ikona e detrave” dhe është 5 herë më e madhe sesa Titaniku.

Pavarësisht kritikave në rrjete sociale, agjencia Royal Caribbean International pretendon se me këtë anije do të nisë një eksperiencë e re udhëtimii.

Anija është e pajisur me të gjitha facilitetet dhe shërbimet e imagjinueshme.

Krocera ka 7 pishina, 9 vaska hidromasazhi dhe parkun më të madh ujor (në det) të ndërtuar ndonjëherë.

Mjeti lundrues luksoz do të mund t’i ofrojë pasagjerëve 40 aktivitete të ndryshme, nuk do të mungojë edhe një fushë minigolfi.

Krocera ka 28 tipe të ndryshme kabinash, me më shumë kategori për familjet, më shumë kabina me pamje nga oqeani dhe më shumë hapësira për udhëtimet në grup.

Udhëtimi i parë testues është përmbyllur më 22 qershor dhe sipas kompanisë që e administron janë përshkuar qindra kilometra për të testuar motorët, skafet, sistemi frenues etj.