Në rrëfimin e saj znj. Sanije Poni, na tregon rrugëtimin e saj profesional të nisur më 14 janar 1988. Fillimsht e ka nisur si mekanike pompiste në Ofiçinën e Portit, ndër të paktat femra në këtë profesion, ndërsa prej 13 vitesh punon si Inspektore pranë Zyrës së lejeve.
“Kur kam hyrë në punë në Portin e Durrësit, mbaj mend me nostalgji kolegët e mi të parë dhe vështirësitë e profesionit, por që falë përkrahjes së tyre u familjarizova shpejt. Kisha përfunduar shkollën e mesme profesionale me rezultate maksimale dhe ishte fat që t’a nisja rrugëtimin në një institucion kaq të rëndësishëm, që më pas u bë shtëpia ime e dytë”, shprehet znj. Poni.
“Në familjen tonë ishim 7 fëmijë dhe jo të gjithë mundëm të shkolloheshim për shkak të vështirësive ekonimike por falë punës simë fillova të jap kontribut në familje. ” – tregon Sanija.
“Fillimisht isha e vetmja femër mes 9 kolegëve meshkuj të tjerë dhe respekti mbi punën dhe profesionalizmin tim më është dhënë gjithmonë. Porti të jep pafund mundësi për t’u rritur profesionalisht”. 2 fëmijët e mi arrita ti shkolloja falë punës timë në port, ëndërr e imja që prej pamundësisë të mos kryerit një shkollë të lartë”, tregon ajo në vijim.
Më pas Sanija, nisi një tjetër rrugëtim në një tjetër pozicion, pranë Zyrës së Lejeve.
Ishte 1 Maji i 2009 dita e parë e saj e punës si inspektore në sektorin e Zyrën e Lejeve. Aty ku siguria e portit është më e rëndësishmja.
Porti për Sanijen, ndër vite ka ndryshuar, duke nisur nga siguria e sidomos infrastruktura.
“Vija me bicikletë në punë dhe me vështirësi kaloja rrugën për shkak të ngarkim shkarkimit për të arritur në zyrë”
3 vite e ndajnë Sanijen nga dalja në pension dhe motoja “korrektësia, jetëgjatë” dhe “puna e heshtur është e mirë dhe flet vetë” vijojnë t’a shoqërojnë edhe pas 34 viteve punë si profesioniste pranë Portit të Durrësit.
Sanija ka një ftesë për të gjithë të rinjtë, që të zgjedhin arsimin profesional si një mundësi shumë e mirë për punësim. /APD