Në fillimet e kultivimit të saj, njerëzit e përdornin karrotën për kura mjekësore. Më vonë e kuptuan se ajo kishte një potencial të shkëlqyer në kuzhinë. Karrota ka të paktën 5000 vjet që rritet mbi këtë tokë, por asnjë nuk e di kohën e saktë se kur kjo perime u shfaq për herë të parë.
Me kalimin e viteve, karrota u rendit mes ushqimeve më të shëndetshme për organizmin. Ekspertët thonë se njerëzit duhet të hanë karrota çdo ditë që të përfitojnë të mira të vazhdueshme shëndetësore. Lexoni përfitimet e renditura më poshtë.
Fibra te karrota
Një racion me karrota të prera përmban 3.6 gramë fibër e cila mban stomakun dhe arteriet të pastra. Në këtë mënyrë shmanget rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare, kolesterolit të lartë, konstipacionit dhe hemoroideve. Fibra rregullon sheqernat në gjak dhe është e dobishme për të humbur në peshë.
Vitamina A dhe beta karoteni
Karrotat janë ndër burimet kryesore të vitaminës A. Një racion me karrota ofron 1,069 mikrogramë të kësaj vitamine, duke tejkaluar dozën e nevojshme prej 700 mikrogramë për femrat dhe 900 mikrogramë për meshkujt. Vitamina A është e domosdoshme për shëndetin e syve, lëkurës, dhëmbëve dhe kockave. Ajo u vjen në ndihmë qelizave për t’u rritur normalisht. Beta karoteni ndihmon të parandalojë problemet shëndetësore të nxitura nga mosha, si sëmundjet koronare.
Vitamina K
Një racion me karrota ofron 16.9 mikrogramë të vitaminës K ose 20% të dozës së rekomanduar ditore. Vitamina K luan një rol thelbësor në mbarëvajtjen e qarkullimit të gjaku dhe shëndetit të kockave.
A rrezikoheni nga beta karoteni i tepërt?
Ngrënia e sasive të mëdha të beta karotenit nuk ju vë në rrezik nga një mbidozë e mundshme e vitaminës A. Organizmi di vetë të rregullojë sasitë e nevojshme të beta karotenit që ka nevojë. Megjithatë, nëse konsumoni sasi të mëdha karoteni, do të përballeni me një zverdhje të lëkurës. Nga ana tjetër është shumë e vështirë ta teproni me ngrënien e karrotave apo edhe perimeve të tjera. Sa i përket karrotës, ju mund të konsumoni një ose dy në ditë.
Lëkura e karrotës nuk duhet hequr
Lëkura e karrotës përmban gjysmën e antioksidantëve që gjenden tek kjo perime e nëntokës. Karrotat pasi t’i lani mirë gatuajini me avull ose hajini të pagatuara, duke i përfshirë në sallata ose lëngje frutash./AgroWeb