Nga Mentor Kikia

8 nëntor 2015 – Koncensioni është një formë bashkëpunimi qeveri-privat. Unë nuk jam ekonomist, por di vetëm se shteti i jep një pronë apo shërbim me koncension një sipërmarrjeve apo kompanie private, kur nuk është në gjendje ta zhvillojë apo ofrojë vetë. Psh: Qeveria nuk ka mundësi të shpojë një pus nafte dhe i thotë privatit: Hajde shpoje, nxirre naftën dhe do ta ndajmë X % me Y%. Do të ndërtojë një port, një hidrocentral etj, nuk ka para dhe i thotë sërish një kompanie: hajde ndërtoje, shfrytëzoje X vite sa të nxjerresh investimin dhe fitim dhe pastaj do ma lësh mua. 

Por në Shqipëri koncensioni përdoret si forma më e paskrupullt e vjedhjes. Për të justifikuar vjedhjen përmes kompanive të afërta, klienteliste thuhet në gjuhën e politikës, qeveritë kanë dhënë dhe po japin me koncesnin edhe zyrat e shtetit.  P.sh: Përse qeveria duhet ti paguajë 90 milion Euro një spitali privat për të bërë Hemodializën? Derisa paratë i ka, pse nuk e ofrojnë vetë spitalet publike këtë shërbim? Do të ishtye shumë më lirë, padyshim, për shtetin. Përse për të bërë Checkup –in për të gjithë shtetasit nga 40-60 vjec qeveria duhet të paguajë(aq më shumë nje kompani që shet cigare e alkol). Derisa paratë i ka, ta ofrojë vetë këtë shërbim, padyshim edhe me kosto më të lirë. Përse edhe për të sterilizuar veglat e punës së kirurgjisë sërish duhet aforuar po përmes koncensionit një kompani private?

Me koncension u dhanë edhe rrugët e Vlorës dhe Fierit, ku qytetarët parkonin makinat dhe “koncensionari” thjeshtë vilte paratë e njerëzve, pasi rrugën e kishte shturar bashkia(edhe aty ku nuk ishin shturar koncensionairt nuk prishte ndonje punë).  Me koncension u dhanë edhe kontrollet në dogana, edhe ngjurosja e karburanteve, edhe prodhimi i pullave fiskale, dhe rezultati ishte edhe me zi.
Me koncension jepet edhe shërbimi i koaludimit, kontrollit teknik të makinave. Po pse kaq të vështirë e ka qeveria të ndërtojë një hangar dhe të paguajë nja 20 mekanikë në cdo qytet për të kontrolluar makinat dhe paratë që ne paguajmë të shkojnë në arkën e shtetin dhe jo llogarinë e privatit? Me koncension është shpallur të jepet edhe Shërbimi i Kontrollit dhe Verifikimit të mjeteve rrugore në Shqipëri. Ose kontrolli që bëhet para se makina të pajiset me leje qarkullimi.

Koncensionarizmi flitet se do të shtrihet edhe në burgje, edhe në hipoteka.. Shteti, ose nga pafatësia ose nga babëzia, po dorëzohet në dorë të privatit.
Ndaj mendoj se do të ishte më mirë që i gjithë shteti, policia, prokuroria, edhe gjykatat, edhe vetë qeveria, të jepej me koncension, por jo këtyre firmave të cigareve, por psh, ndonjë kompanie apo vetë shtetit gjerman. Atëherë ne do të jemi më qetë, punojmë e paguajmë taksa, dhe koncensionari na qeveris, na bën ligjet, drejtësinë, buxhetin…. Jam i bindur se do të jetë më mirë se nën cdo qeveri shqiptare.
Përtej ironisë, mendoj se jemi në kushte dëshpërimisht të pashpresa në këtë vend, ku gjithkush që ka një gjë në dorë mendon vetëm si të vjedhë.

/portali DurresLajm/