DOKUMENTACIONI QË DUHET TË DEPOZITOJNË  KANDIDATI/TËT PËR RINOVIMIN E LICENCËS PËR TRANSPORT UDHËTARËSH NË LINJË TË RREGULLT QYTETASE  PËR LINJAT“DURRËS–UNAZË-KËNETË-PLEPA–DURRËS”, “DURRËS – CURRILA – DURRËS”  DHE “DURRËS – UNIVERSITETI – DURRËS”

Në zbatim të ligjit nr. 139/2015 datë 17.12.2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, Ligjin Nr. 8308, datë 18.03.1998 “Për transportet rrugore” të ndryshuar, Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 325, datë 19.3.2008 “Për miratimin e rregullave për pranimin në veprimtarinë e operatorit të transportit rrugor të mallrave dhe të udhëtarëve, si dhe për njohjen e dokumenteve zyrtare, të caktuara për këta operatorë” të ndryshuar,Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.633, datë 26.10.2018 “Për masat kundër ndotjes së ajrit nga shkarkimet e mjeteve motorike dhe reduktimin e shkarkimeve në ajër të ndotësve të gaztë dhe të lëndës së ngurtë pezull nga motorët me ndezje pozitive dhe ata me ndezje me kompresion që djegin gaz natyror apo të lëngshëm për përdorim në automjete” i ndryshuar, Udhëzimit nr. 1649, datë 16.08.1999 “Mbi plotësimin e disa kushteve të veçanta në transportin rrugor të udhëtarëve” të ndryshuar,Udhëzimin Nr. 5627, datë 18.11.2016 “Për përcaktimin e kritereve, rregullave dhe dokumentacionit për lëshimin e licencave dhe çertifikatave për ushtrimin e veprimtarisë në transportin rrugor të udhëtarëve brenda vendit” të ndryshuar, Udhëzimit Nr. 3743, datë 10.07.2017 “Mbi modelet dhe standartet e biletave të transportit rrugor të udhëtarëve” i ndryshuar, Vendimin e Këshillit Bashkiak Nr. 215, datë 25.09.2014 “Për shqyrtimin dhe miratimin e linjave urbane qytetase brenda territorit të qytetit të Durrësit, “Durrës-Unazë-Kënetë-Plepa-Durrës”, “Durrës-Currila-Durrës” dhe “Durrës-Universiteti-Durrës”, Vendimin e Këshillit Bashkiak nr.216, datë 25.09.2014 “Për dhënien e miratimit Bashkisë Durrës, për zhvillimin e konkursit për linjat urbane qytetase “Durrës-Unazë-Kënetë-Plepa-Durrës”, “Durrës-Currila-Durrës” dhe “Durrës-Universiteti-Durrës”, Vendimin e Këshillit Bashkiak Nr.259 datë 18.05.2015 “Për miratimin e stacioneve të linjave urbane brenda territorit të qytetit të Durrësit të transportit qytetas të udhëtarëve me autobus”,  Vendimin e Këshillit Bashkiak Nr. 590 datë 11.03.2019 “Për miratimin e ndryshimit të Vendimit të Këshillit Bashkiak Nr. 233 datë 16.12.2014 “Për përcaktimin e tarifës së biletave të transportit qytetas të udhëtarëve me autobus, ju njohim si më poshtë vijon;

Për linjën Durrës – Unazë – Kënetë – Plepa – Durrës numri i autobuzëve të kërkuar është 5 (pesë)  dhe cikli orar çdo 20 min.

Për linjën Durrës – Currila – Durrës numri i autobuzëve të kërkuar është 3 (tre)  dhe cikli orar çdo 30 min.

Për linjën Durrës – Universiteti– Durrës numri i autobuzëve të kërkuar është 5 (pesë)  dhe cikli orar çdo 15 min

Orari i shërbimit, itinerari dhe frekuenca do të jenë në zbatim të Vendimit të Këshillit Bashkiak Durrës Nr.259 datë 18.05.2015 “Për miratimin e stacioneve të linjave urbane brenda territorit të qytetit të Durrësit të transportit qytetas të udhëtarëve me autobus”. Gjatë kryerjes së shërbimit mjetet do të ndalojnë në çdo stacion të linjës të miratuar si të tillë në zbatim të VKB-së Nr. 259, datë 18.05.2015. Nisja e mjeteve bëhet nga stacioni i fillimit dhe përfundon në stacionin fundor të linjës së miratuar me VKB-në Nr. 259, datë 18.05.2015. Udhëtarët do të pajisen me mjetet e nevojshme të udhëtimit (karta, abone, bileta) sipas udhëzimit Nr. 3743, datë 10.07.2017 “Mbi modelet dhe standartet e biletave të transportit rrugor të udhëtarëve” i ndryshuar. Çmimi i biletës do të jetë ai i përcaktuar me Vendimin e Këshillit Bashkiak Nr. 590 datë 11.03.2019 “Për miratimin e ndryshimit të Vendimit të Këshillit Bashkiak Nr. 233 datë 16.12.2014 “Për përcaktimin e tarifës së biletave të transportit qytetas të udhëtarëve me autobus”.

Personi juridik që kërkon të  aplikojë për rinovimin e licensës për ushtrimin e veprimtarisë për të operuar në linjat qytetase të transportit Durrës-Unazë-Kënetë-Plepa-Durrës, Durrës-Currila-Durrës dhe Durrës-Universiteti-Durrës”, duhet të gëzojë dhe të përmbushë ;

a) reputacionin e mirë,

b) qëndrueshmërinë e duhur financiare,

c) kompetencën profesionale,

d) një vendosjeje efektive dhe të qëndrueshme në Shqipëri, sipas pikës 1.4 të Udhëzimit Nr.5627, datë 18.11.2016 i ndryshuar.

e) zotërimin e mjeteve të transportit rrugor me motor, në numrin dhe gjendjen teknike të kërkuar.

I. Dokumentacioni ligjor për t’u paraqitur nga ana e operatorëve  do të jetë:    

  1. Kërkesë e aplikantit e cila duhet të përmbajë, llojin e veprimtarisë që kërkon të kryejë dhe adresën e plotë të selisë/filialit, numrin e telefonit, faksit, email etj.
  2. Vetëdeklarim për reputacionin e mirë të drejtuesit/drejtuesve të veprimtarisë, ndërmarrjes dhe për çdo drejtues të mjeteve, në zbatim të VKM-së Nr. 325, datë 19.03.2008 “Për miratimin e rregullave për pranimin në veprimtarinë e operatorit të transportit rrugor të mallrave dhe të udhëtarëve, si dhe për njohjen e dokumentave zyrtare të caktuara për këta operatorë “ i ndryshuar dhe  të Udhëzimit nr.5627 datë 18.11.2016 i ndryshuar (Lidhjes 7/1 dhe 7/2).
    Komisioni vlerësues mund të verifikojë zyrtarisht deklarimet për plotësimin e kushtit të reputacionit të mirë dhe gjëndjes gjyqësore, për ndërmarrjen dhe drejtuesin e veprimtarisë së saj, pranë institucioneve përkatëse sipas legjislacionit në fuqi.
  3. Dokument që provon që operatori është në gjendje të përshtatshme financiare, dhe ka në dispozicion të tij kapital dhe rezerva të një shume të barabartë me ose që tejkalon shumën e përgjithshme të 140`000 lekë për mjetin e parë dhe 70`000 lekë për çdo mjet shtesë në të përdorur kur kryen transport të udhëtarëve brenda vendit."
  4. Dokument nga një institucion bankar ose financiar, që vërteton gjendje të qëndrueshme financiare, i cili mund të jetë:

i) një dokument/garanci bankare;
ii) një dokument i lëshuar nga shoqëri sigurimi.

Gjithashtu, do të pranohen dokumente të lëshuara nga çdo bankë, institucion financiar ose institucione të ngarkuara për këtë qëllim në çdo shtet anëtar të BE-së, ku individi ose subjekti i transportit rrugor apo filiali i tij është regjistruar.

  1. Dokumentacionin që vërteton zotërimin e kompetencës profesionale dhe eksperiencës, për drejtuesin e veprimtarisë, i cili mund të jetë ortaku i vetëm ose një prej ortakëve, apo administratori i subjektit ose një person i punësuar me kontratë për një periudhë të paktën 5 vjeçare (të lidhur përpara noterit). Bashkalidhur paraqitet gjithashtu edhe deklarata noteriale e të punësuarit të pajisur me ÇKP, që nuk është i punësuar në më shumë se 3 (tri) ndërmarrje të ndryshme, me një numër të përgjithshëm maksimal të mjeteve motorike dhe/ose kombinimit të mjeteve, prej 36 mjetesh.
  2. Kontratë me ofiçinë riparimi/mirëmbajtje automjetesh (origjinale, bashkëngjitur NIPT-in e ofiçinës).
  3. Regjistrimi në Regjistrin Tregtar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), ku objekti i veprimtarisë duhet të jetë "Për transport udhëtarësh brenda vendit".
  4. Regjistrimi në Regjistrin Tregtar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) të çdo mjeti që do të përdoret në linjat përkatëse.
  5. Vërtetim të gjëndjes gjyqësore lëshuar nga Ministria e Drejtësisë për drejtuesin e veprimtarisë.
  6. Vërtetim nga organet gjyqësore (Gjykatë, Prokurori) që subjekti nuk është dënuar për shkelje penale dhe nuk është dënuar me vendim të gjykatës së formës së prerë.
  7. Vërtetim që nuk është shpallur fajtor për shkelje serioze të legjislacionit të punës të lëshuar nga Inspektoriati Shtetëror i Punës.
  8. Vërtetim/Shkresë që nuk janë deklaruar të papërshtatshëm për të ushtruar veprimtarinë e operatorit të transportit, që nuk janë shpallur fajtor për shkelje të legjislacionit të transportit, që nuk janë shpallur fajtor për shkelje të rregullave në kohën e drejtimit dhepushimit për drejtuesin e mjetit, të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor.
  9. Vërtetim që nuk janë shpallur fajtor për legjislacionin lidhur me trafikun rrugor, sigurinë rrugore, përgjegjësinë profesionale, të lëshuar nga organet e Drejtorisë së Policisë së Qarkullimit Rrugor.
  10. Shlyerjen e detyrimeve fiskale për periudhën në vijim nga ana e subjektit pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Durrës.
  11. Shlyerjen e detyrimeve fiskale për periudhën në vijim nga ana e subjektit pranë Bashkisë Durrës.
  12. Një dokument që vërteton se kapitalet/asetet e subjektit tuaj dhe administratori nuk janë në duart e përmbaruesit gjyqësor apo ekziston një urdhër sekuestro për to, lëshuar nga Zyra e Përmbarimit.
  13. Programi vjetor ekonomiko-financiar dhe i zhvillimit të veprimtarisë për biznesin që parashikohet  të ushtrohet (planbiznesi).
  14. Listë me targat e automjeteve që do të përdorë (në formë përshkrimi dhe katalogu fotografik) ku prezantohet :
  • paraqitja e jashtme
  • paraqitja e brendshme
  • përshtamshmëria e autobuzëve ndaj personave me aftësi ndryshe
  • numri i dyerve
  • raporti i vëndeve ulur, ndaj atyre në këmbë
  • mjetet e informimit dhe komunikimit
  1. Referenca dhe çdo dokument tjetër për subjektin si kontrata, licensa etj, që vërtetojnë eksperiencë në transportin e udhëtarëve.
  2. Si dhe çdo dokumentacion tjetër të kërkuar nga Bashkia Durrës.

Dokumentet e paraqitura duhet të jenë  në origjinal ose të njehsuara me orgjinalin.

II. Dokumentacioni për t’u paraqitur dhe që provon kapacitetin teknik të mjeteve,  do të jetë:    

Kërkesa për shërbimin që do të operohet lidhur me mjetet dhe gjendjen teknike të tyre, për secilin mjet kërkohen dokumentet si më poshtë ;

1.Leja e qarkullimit (nëse disponon mjete me qera, kontratat e qiramarrjes në origjinal ose të njehsuara me origjinalin).

2.Çertifikata e kontrollit teknik të mjeteve.

3.Aktvlerësimi i plotësimit të kushteve të komoditetit në transportin e udhëtarëve brenda vendit, lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor sipas Udhëzimit nr. 1649 datë 16.08.1999 “Mbi plotësimin e disa kushteve të veçanta në transportin rrugor të udhëtarëve” të ndryshuar.

  1. Në rastin e shërbimeve të rregullta, të ketë agjenci për shërbimin e udhëtarëve brenda vendit, ose kontratë me një agjenci transporti.
  2. Policë sigurimi se pronari/ përdoruesi i mjetit të transportit ka lidhur kontratën e sigurimit, sipas ligjit nr. 10076, datë 12.2.2009, "Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit", të ndryshuar, i cili në transportin e udhëtarëve përfshin:
    1. Sigurimin e udhëtarëve nga aksidentet në transportin publik;
    2.  Sigurimin e përgjegjësisë së pronarit ose të përdoruesit të mjetit motorik, për dëmet shkaktuar palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti.

4.Çertifikata e kalibrimit të tahografit.

5.  Mjetet duhet të jenë të destinuara për transport udhëtarësh, më numër vendesh ulur dhe në këmbë të përshtatshme për transport qytetas. Numri i vendeve ulur minimumi të jetë 25 + 1. ( shoqëruar me foto)

6. Përshtatshmëria e autobuzëve ndaj personave me aftësi ndryshe, ku në mjetet e transportit të ketë edhe vende të rezervuara për kategoritë përkatëse.( shoqëruar me foto)

7. Mjetet e transportit qytetas të kenë të instaluar sistemin e njohjes së vendndodhjes së mjetit (GPS) që do të mundësojë përcaktimin elektronik të : numrit të mjeteve në shërbim, shpejtësinë e lëvizjes, vendndodhjen, km e përshkruara. ( shoqëruar me foto)

8. Të kenë të instaluara kompletin e pajisjeve për situata emergjente (fikse zjarri, çekiç për thyerje xhamash etj.),  sipas manualit të prodhuesit.( shoqëruar me foto)

9. Autobusët, të cilët kryejnë transportin e udhëtarëve në linjat qytetëse, duhet përveç derës së drejtuesit të autobusit të kenë minimalisht dy dyer, përfshirë daljen e emergjencës.( shoqëruar me foto)

10. Pamja e jashtme e autobusëve duhet të jetë e pastër, pa njolla e deformime apo shtypje të mbulesës së tyre dhe me ngjyrën sipas lejes së qarkullimit. Mbi autobus nuk lejohet të vendosen shkrime të tjera, qofshin me karakter tregtar apo për çdo qëllim tjetër, përveç emrit të subjektit transportues.

11. Autobusët duhet të jenë të pajisur me sistem kondicionimi dhe qendër zëri, në përputhje me tipin e miratuar. Çdo ndenjëse e autobusit duhet të jetë e pajisur me rripin e sigurimit.

12. Afishimi në një vend të dukshëm të autobusit, numrat e telefonave të emergjencave civile (Policia e Shtetit, urgjenca mjekësore, shërbimi zjarrfikës etj.)";

13. Mjetet duhet të jenë të pajisura me dritare emergjence funksionale. Pozicioni dhe mënyra e përdorimit të tyre u bëhet e njohur udhëtarëve, nëpërmjet mbishkrimeve mbi to.

14. Në dyer duhet të jenë të shënuara mbishkrimet e orientimit:Hyrje/Dalje.

15. Estetika e brendshme (lidhur me vendet e pasagjerëve, dritaret, dyshemetë e mjeteve etj.), që konsiston në drejtim të një paraqitjeje dhe mirëmbajtjeje sa më të pranueshme e cila respekton në këtë mënyrë kërkesat e komunitetit për një shërbim të një cilësie të lartë, do të jetë e detyrueshme për të gjitha mjetet.

16.Estetika e jashtme e të gjitha mjeteve do të jetë e tillë që të plotësojë rregullat në zbatim të Kodit Rrugor lidhur me vendosjen mbi mjetet e transportit të shkrimeve a shenjave reklamuese të shndritshme ose reflektuese, me qëllim që të përjashtohet çdo rrezik verbimi a hutimi për drejtuesit e mjeteve të tjera dhe njëkohësisht të pengojë çdo formë reklamimi që ka një përmbajtje, domethënie apo synim të kundërt me normat e këtij Kodi.

17.Dyshemeja, tavani dhe paretet anësore të jene të veshura, në gjëndje të mirë për të siguruar hermeticitetin e nevojshëm nga faktorët e jashtëm.

18.Ngjyra e mjeteve në një linjë duhet të jetë uniformë.

Për mjetet e marra në përdorim bëhet ndryshimi përkatës në Drejtorinë e Përgjithshme
të Shërbimeve të Transportit Rrugor në zbatim të nenit 93 të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë.

19. Si dhe çdo dokumentacion tjetër të kërkuar nga Bashkia Durrës.

Dokumentet e paraqitura duhet të jenë  në origjinal ose të njehsuara me orgjinalin.

III. Dokumentacioni që kërkohet për drejtuesin e mjetit të cilat provohen si më poshtë:

  1. Leja e drejtimit për drejtuesin e mjetit, me kategoritë përkatëse për mjetin që drejton dhe kontratat e punës me drejtuesit e mjeteve ( Fotokopje e noterizuar ose origjinal).
  2. Çertifikata e aftësisë profesionale (CAP) për drejtuesit e mjeteve në përputhje me udhëzimin nr. 3606/2, datë 28.10.2011, "Për pajisjen e përdoruesve të mjeteve rrugore të kategorive C, CE, D (*) dhe DE, me certifikatën e aftësimit profesional (ÇAP)", të ndryshuar, kur kërkohet.
  3. Për mjetet e paregjistruara në Republikën e Shqipërisë paraqitet një marrëveshje paraprake për shitblerje sipas njërit prej rasteve në vijim;
  • me pronarin e mjetit
  • me koncesionarin ose ndërmjetësin në rastin kur ka periudhë tranzitore për të pasur të drejtën e posedimit të mjeteve
  • me prodhuesin/ose koncesionarin në rastin e paraqitjes në procedurën e konkurimit me mjete të tjera.

Në të gjitha rastet subjekti duhet të paraqesë dokumentacionin e nevojshëm i cili vërteton se subjekti që merr përsipër furnizimin e mjeteve ka sipas dokumentacionit të vendit të origjinës, të drejtën për të pasur në pronësi ose gëzuar të drejtën e shitblerjes së mjeteve të paraqitura. Mjetet shoqërohen me dokumentacionin teknik dhe përshkrues ( kushtet teknike, katalogë etj), të gjitha të përkthyera në gjuhën shqipe dhe të noterizuara.

Në rastin e mjeteve të reja paraqiten kontrata të ngjashme të shitblerjes që prodhuesi/koncesionari ka realizuar.

Kandidati/Ofertuesi i huaj nëse nuk është i regjistruar në regjistrat profesionalë ose tregtarë të shtetit duhet të marrë pjesë në formën e bashkimit me një shoqëri të regjistruar në regjistrat profesionalë dhe tregtare shqiptare dhe nevojitet të plotësojë të gjitha kriteret e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për subjektet e huaja të cilët kërkojnë të ushtrojnë veprimtari tregtare në Republikën e Shqipërisë si dhe duhet të vërtetojë se ai i plotëson të gjitha  kërkesat e renditura më sipër. (Nëse  dokumentat e sipërpërmendura nuk lëshohen në shtetin e tyre të origjinës, atëherë paraqitet dokumentacion i ngjashëm i cili vërteton kërkesat e mësipërme). Dokumentacioni i lëshuar nga shtetet e huaja nevojitet të plotësojë kërkesat ligjore të legjislacionit në fuqi si dhe të jetë i përkthyer në gjuhën  shqipe dhe i noterizuar.

  1. Një program drejtimi të mjetit për monitorimin në pajtueshmërinë me legjislacionin mbi orët e drejtimit dhe periudhat e pushimit të drejtuesve. (Pika 9 e Udhëzimit Nr.5627, datë 18.11.2016, i ndryshuar).
  2. Vetëdeklarim nga ana e ndërmarrjes që drejtuesi i mjetit është i trajnuar dhe do të trajnohet periodikisht pranë saj.
  3. Si dhe çdo dokumentacion tjetër të kërkuar nga Bashkia Durrës.
    Dokumentet e paraqitura duhet të jenë  në origjinal ose të njehsuara me orgjinalin.

Komisioni i vlerësimit i ngritur për këtë qëllim, pas shqyrtimit të dokumentacionit vendos për aplikimin dhe kushtet e plotësuara nga kandidatët. Në rast se aplikuesi ka mangësi në dokumentacion, i lihet një afat 7-ditor me qëllim plotësimin e tyre.

Kandidati që nuk plotëson dokumentacionin e mësipërm brenda afateve të parashikuara në Udhëzimin Nr. 5627 datë 18.11.2016 të ndryshuar, autoriteti i licensimit do të refuzojë kërkesën e tij për rinovim license.

Pas përfundimit të procedurës së vlerësimit të plotësimit të kushteve për rinovim licence, Komisioni i Vlerësimit njofton Drejtorinë e Shërbimeve për të vijuar procedurën e pajisjes me licensë të operatorit të transportit për linjat përkatëse.

Drejtoria e Shërbimeve pas lëshimit të licencës njofton Drejtorinë Ligjore dhe vijon procedurat për lidhjen e kontratës.

Dokumentacioni do të dorëzohet çdo ditë pranë Zyrës së marrëdhënieve me publikun pranë Bashkisë Durrës, deri më datë 08.10.2019.