Policia Rrugore e Korçës ka njoftuar të gjithë qytetarët se në datat 24 dhe 25 dhjetor 2021, nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve me kapacitet mbi 20 vende në qendrën e fshatit turistik Dardhë.
Qarkullimi në këto zona do të mund të kryhet vetëm me automjete me kapacitet deri në 8+1.
Kjo për shkak se ka pasur vështirësi në qarkullimin e mjeteve, ndaj dhe Policia ndodhet në terren për të orientuar shoferët.
NJOFTIMI I PLOTË:
Duke marrë shkas nga fluksi i lartë i mjeteve motorike, të cilat kanë destinacion aksin rrugor Korçë-Dardhë, nga fakti që nuk ka hapësira të mjaftueshme të shesh parkimeve për mjetet e tipit autobus, si edhe nga vështirësitë e hasura në shkëmbimin e mjeteve, njoftojmë të gjithë qytetarët, bizneset e fshatit turistik Dardhë dhe drejtuesit e mjeteve, se për datat 24 dhe 25 dhjetor 2021, nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve me kapacitet mbi 20 vende, mbi kilometrin e shtatë, më pas pistën e skive, deri në qendrën e fshatit turistik Dardhë.
Sqarojmë se nga vendndodhja e lartpërmendur, deri në destinacione të tjera të këtij fshati turistik, qarkullimi mund të kryhet vetëm me automjete me kapacitet deri në 8+1. Shërbimet e policisë rrugore, do të jenë në gadishmëri të plotë dhe prezente nëpër akset rrugore, për të qenë pranë qytetarëve duke orientuar trafikun dhe lëvizjen e mjeteve, për të parandaluar çdo bllokim të mundshëm të trafikut ose ngjarje rrugore.
Policia Rrugore Korçë, apelon të gjithë përdoruesit e rrugës që të tregojnë kujdes në drejtimin e mjeteve dhe të shmangin përdorimin e pijeve alkoolike, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, sinjalistikën vertikale, të jenë të pajisur me goma dimërore dhe pajisje dimërore. Duke ju uruar gëzuar festat e fundvitit, ftojmë qytetarët që të denoncojnë në portalin Komisariati Dixhital dhe në numrin 112, çdo paligjshmëri. Ju falenderojmë për mirëkuptimin.