Drejtoria e Përgjithshme Detare vjen me një njoftim për të gjithë udhëtarët që lëvizin me tragetet e linjës Durrës-Bari e anasjellas.

Ditën e sotme në portin e Barit janë krijuar radhë të mëdha të mjeteve të rënda të detyruara të parkojnë në hapësirën e portit për shkak të situatës meteorologjike në të gjithë Italinë.

Nga dita e djeshme, Prefektura e Barit ka nxjerrë një urdhëresë me anën e së cilës bllokohet lëvizja e mjeteve të rënda në territorin e Prefekturës dhe për rrjedhojë edhe në hapësirën portuale. Kjo urdhëresë lëshohet për të lehtësuar lëvizjen në rrugët e brendshme dhe të rrugëve ndërqytetëse e autostradave, që për shkak të kushteve të jashtëzakonshme të motit kanë rezultuar me probleme të kalueshmerisë.

Ditën e sotme, Konsulli i Përgjithshem Z. Adrian Haskaj dhe Oficeri i Kontaktit i Policisë së Shtetit në Bari Kryekomisar Dr. Artur Beu, janë takuar me përfaqësues të Policisë italiane dhe të Prefekturës së Barit dhe kanë konstatuar se situata është në zgjidhje e sipër, sepse ka filluar lëvizja e mjeteve të rënda nga hapësira e portit dhe së shpejti pritet edhe anulimi i urdhëresës së Prefekturës së Barit për bllokimin e lëvizjes së tyre. Për momentin bëhet me dije se nuk ka probleme për tragetet e linjës Bari-Durrës dhe anasjellas për imbarkimin e mjeteve të rënda dhe të automjeteve familjare.

“Për çdo problematikë mbetemi në dispozicion dhe të gatshëm për zgjidhjen e tyre”, thotë Drejtoria e Përgjithshme Detare.