Prokurorët e krimit financiar në Francë kanë hapur një hetim paraprak ndaj ish-ministrit të Kulturës, Jack Lang, për dyshime për “pastrim të të ardhurave nga mashtrimi tatimor”, lidhur me kontaktet e tij me financierin amerikan Jeffrey Epstein të dëunuar për pedofili.

Hetimi vjen pas publikimit nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së të dosjeve të Epstein, të cilat dokumentojnë lidhje mes familjes Lang dhe Epstein.

Jack Lang, 86 vjeç, një figurë kyçe e qeverive socialiste franceze nga vitet 1980 deri në 2000, ka mohuar çdo shkelje dhe i ka quajtur akuzat “të pabaza”. Ai tha për AFP se hetimi do të “hedhë dritë mbi akuza që vënë në pikëpyetje nderin dhe reputacionin tim”.

Pak orë pas njoftimit të hetimit, Lang ofroi dorëheqjen nga posti i kreut të Institutit të Botës Arabe. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, e pranoi dorëheqjen dhe njoftoi nisjen e procesit për zgjedhjen e një pasardhësi. Lang përmendet gati 700 herë në dosjet e Epstein.

Nën hetim është edhe vajza e tij, Caroline Lang, 64 vjeç, e cila këtë javë dha dorëheqjen si kryetare e një sindikate franceze të producentëve të filmave. Ajo tha se ishte takuar me Epstein në vitin 2012, kur ai shprehu interes për të investuar në artistë të rinj.

Jack Lang ka deklaruar se u njoh me Epstein rreth 15 vjet më parë përmes Woody Allen dhe se nuk kishte dijeni për krimet e tij, duke e përshkruar Epsteinin si “bujar” dhe “të sjellshëm”. Dosjet sugjerojnë se Lang i është drejtuar Epstein për fonde ose favore, përfshirë përdorimin e makinës dhe avionit privat.

Megjithatë, dosjet e publikuara nuk tregojnë se Jack Lang apo vajza e tij kanë qenë të implikuar në krimet seksuale të Epstein.