Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka shprehur pakënaqësinë ndaj vendimit të Izraelit për të njohur pavarësinë e Kosovës. Në një bisedë telefonike me Presidentin Isak Herzog, Vuçiç e konisderon vendimin një zhgënjim, por gjithsesi ka kërkuar nga Izraeli mbështetje për dialogun me Prishtinën.
“Ne e konsiderojmë shumë të rëndësishme që Serbia dhe Izraeli, përmes bashkëpunimit, të kontribuojnë në zgjidhjen politike dhe paqësore të të gjitha mosmarrëveshjeve, konflikteve dhe çështjeve të hapura”.
Ndërkohë, në të njëjtën linjë me Vuçiç duket se është dhe Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis. Ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, ka zhvilluar një takim në Athinë me Kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i cili, sipas Vulinit, ia ka konfirmuar atij edhe një herë se qëndrimi grek për sa i përket çështjes së mosnjohjes së pavarësisë Kosovës mbetet i pandryshuar.
“Greqia nuk do ta njohë Kosovën, Greqia do të mbetet në pozicionet e së drejtës ndërkombëtare dhe mbështetjes së fortë për Republikën e Serbisë. I jam mirënjohës Kryeministrit Mitsotakis për një qëndrim të tillë dhe jam mirënjohës që politika greke do të vazhdojë në drejtim të marrëdhënieve më të mira të mundshme me Serbinë”.
Ministri Vulin tha se Mitsotakis ka shprehur dëshirën e tij për të vizituar Serbinë së shpejti.





