Nga Artur Lazebeu

Raportet e përvitshme të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) fokusojnë prioritetet e politikës së tyre me secilin vend, për të cilin hartohen. Burimet e tyre janë të dorës së parë, të gjithanshme e të hapura, ndërsa qasja holiste i bën ato pjesë përbërëse të një tabloje më të gjerë angazhimesh të përshkallëzuara në planin lokal, rajonal dhe global. Nuk ndryshojnë shumë nga viti në vit, sepse problematika ndiqet në vijimësi, por qoftë edhe një fjalë si “arritje” flet shumë. Flet shumë për të të inkurajuar, jo për të abuzuar me kreditin që të njohin. Ndërsa kur thuhet se “qeveria shqiptare nuk i përmbush kushtet minimale për eliminimin e trafikimit”, kjo flet vërtet shumë. Dhe për dreq, shumë keq! Akoma më sfiduese është fraza “me gjithë masat e konsiderueshme që ka marrë për të luftuar këtë dukuri”. Denoncim më spektakolar se kaq të paaftësisë nuk mund të ketë! Ky ishte thelbi i raportit vjetor të trafikut njerëzor për vitin 2013, që DASH-i nxori më 19 qershor 2013. “Pse dreqin nuk e shtyu edhe pak publikimin?” Problematika konkrete më pas vijon e pandryshuar, me të vetmin konstatim të përsëritur prej vitesh, se Shqipëria nuk është transit, por “burim trafiku”. Për të mos lënë ndonjë shteg keqinterpretimi apo projektim faji jashtë vetes raporti thekson se: “Qeveria shqiptare kritikohet se hoqi koordinatorin kombëtar kundër trafikimit dhe e la këtë pozicion bosh për pesë muaj.” Kaq duhet që këtij mekanizmi t’i bjerë autoriteti dhe humbasë funksionimi, për të organizuar takime dhe koordinuar ndërmjet agjencive. Pasoja: “Pengimi i zbatimit të ligjit kundër trafikimit”. Pasojë tjetër, por jo e fundit: “Ndihma për fëmijët, viktima të trafikimit nuk ishte e vazhdueshme”. Aferim!

Sikur u bënë ca si shumë këto raportet ndërkombëtare që po “guxojnë” të mos shohin “mrekullinë” e qeverisjes shqiptare. Nuk kemi sy ne apo nuk ka sy bota që na ka marrë për dore hap pas hapi dhe na tregon rrugën derë më derë të integrimit? Absurditet i turpshëm! Jo vetëm dështim, por kthim prapa! E them këtë, sepse më lidh një histori konkrete angazhimi zyrtar, që pasoi pikërisht nevojën e krijimit të Zyrës së Koordinatorit Kombëtar kundër Trafikimit. Është një rast që dëshmon se të drejtat e njeriut si politikë mbikombëtare, tejkalojnë edhe pragmatizmin e marrëdhënieve dypalëshe midis shtetesh. Rasti ka të bëjë konkretisht me Shqipërinë dhe Greqinë. Po tentoj shkurtimisht të bëj narrativën e një kronike, duke ritheksuar edhe një herë faktin se, sa e vështirë është të krijohen disa gjëra, por sa e lehtë është të rrënohen ato. Ja ashtu, me mosveprim, papërgjegjshmëri, thjesht me injorim dhe mosnjohje të realitetit.  Nuk mund të ketë “zgjidhje” më cinike dhe absurde sesa të konsiderosh të zgjidhur një problem, duke mos e njohur atë. Filozofi më perverse nuk mund të ketë: shlyerja më e mirë e borxhit është mosnjohja e tij!!! Konkretisht, kjo puna e Koordinatorit Kombëtar të Antitrafikut, ishte produkt fundor i një investigimi të përbashkët mes Zyrës së Avokatit të Popullit dhe homologut të tij në Greqi. Është një histori suksesi edhe për median shqiptare, sepse shtysa u mor pikërisht nga një shkrim në gazetën  “Shekulli”, datë 13 janar 2003. Ka bërë shumë bujë, mjaft të kujtojmë se bëhet fjalë për “historinë e rreth 500 fëmijëve shqiptarë, të zhdukur nga qendra Agia Varvara e Athinës”. Vijoi një raport ndërkombëtar, i cili bashkë me lajmin bëri xhiron e botës, duke informuar jo vetëm median tonë dhe ambasadat e këtushme, por të gjithë organizmat ndërkombëtarë të fushës, si komisioneri i KE-së për të Drejtat e Njeriut, “Amnesty International”, “Greek Helsinki Monitor”, mbi të gjitha Komitetin e të Drejtave të Njeriut pranë OKB-së. Ky i fundit, pasi analizoi raportet, konkludoi me rekomandimin që “Shteti grek të investigonte tërësisht dhe paanshmërish raportimet që kish bërë zyra e Ombudsmanit”, e cila në fakt vetëm se kishte sensibilizuar me raportet investigative që Ombudsmani grek kish kryer në kuadër të bashkëpunimit me homologun shqiptar. Ia vlen të rikujtoj se hezitimet e diplomacisë shqiptare për “prishje klime” me fqinjin jugor, u tejkaluan mbi argumentin se kishim të bënim me një “politikë mbikombëtare, që dilte përtej marrëdhënieve dypalëshe”. Sensibilizimi ndërkombëtar shumëplanësh kish sjellë mbi shtetin grek detyrimin e hapjes së procesit penal, gjë që nuk do të mund të kryhej edhe pa angazhimin e policisë shqiptare, prokurorisë shqiptare, shtetit shqiptar. E gjithë kjo histori e materializuar në qindra faqe të shkruara, por edhe dhjetëra orë të konsumuara në Tiranë, Bruksel dhe Athinë, sollën në rendin e ditës jo aty për aty, por vetëm pas disa vitesh, rekomandimin se Shqipëria duhet të ngrinte një “mekanizëm referimi të antitrafikut”. Kështu, një informacion mediatik i vitit 2003 nxiti një reaksion zinxhir, i cili mbas afro katër vitesh, solli një ndryshim strukturor të shtetit shqiptar, duke ngritur një koordinator kombëtar në rangun e zv/ministrit të Brendshëm. Për këtë, Shqipëria mori kreditet përkatëse edhe në raportet e ndërkombëtarëve. Bukuri! Por kaq! Me politikën “korr e mos lidh”, ditën e 19 të qershorit 2013, na doli se kjo zyrë koordinatori na qenkësh fshirë! Edhe të shqyhesh, nuk ia gjen dot arsyen! Ose ka pritur “lavde” të përvitshme “bathë-bathë po një kokërr”, ose ka dashur të afirmojë një “standard të plotësuar në luftën kundër trafikut”. Një ditë vape qershori, në mes të karadyzenit, daullja shqyhet: “Qeveria shqiptare nuk përmbush as kushtet minimale për eliminimin e trafikimit, me gjithë masat e konsiderueshme që ka marrë për të luftuar këtë dukuri”. Mos gënjeni veten, duke besuar gënjeshtrat tuaja! Mjaft është mjaft, sidomos kur as nuk di, as nuk do, as nuk mundesh edhe sikur! E vërteta që pasqyrohet në raportet e ndërkombëtarëve, janë sytë e një populli që kërkon shtet, jo thjesht pushtet!

http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/06/22/njolla-nga-nje-raport/