Lidhur me ngjarjen e djeshme në Vlorë, ku mbeti i plagosur 36-vjeçari Diego Hanaj, policia po vijon hetimet rreth aktivitetit të të plagosurit. Ndërkohë janë marrë në pyetje 8 persona, banorë të lagjes ku ndodhi dhe atentati.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ditën e sotme, duken qartë shenjat e plumbave që kanë ngelur në xhamat e dyqaneve po ashtu dhe shenja gjaku në trotuar ku ka kaluar 36-vjeçari.

Diego Hanaj ka qenë duke pirë kafe në një nga lokalet pranë banesës së tij. Pasi ka dalë nga lokali po shkonte tek hyrja e pallatit dhe është shtënë ndaj tij nga një makinë në lëvizje.

Hanaj mori një plumb në dorë ka lëvizur për rreth 50 metra ndërkohë duke u ndjekur nga autorët të cilët qëllonin me armë automatike ndaj tij, por për fat plumbat nuk e kanë prekur, veçse një plumb në momentin e parë.

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së bizneseve aty pranë, por ende nuk ka pistë hetimi.

Ndërkohë, nuk ka ende detaje për të shkuarën e 36-vjeçarit.