Harrojeni Wall Street dhe grataçelat e Manhattan, tanimë “ndeshjet” e financave do të luhen në qytete të vogla amerikane si: Jacksonville në Florida, apo Salt Lake City në Utah. Sipas së përditshmes “New York Times, për të kursyer sa më shumë, disa nga bankat dhe kompanitë më të mëdha amerikane, po largohen nga ajo që është konsideruar si “zemra financiare” e vendit, duke e postuar Financial District në qendra më të vogla, ku qiratë dhe pagesat e nëpunësve janë shumë herë më të vogla se në Nju Jork. Mendimi i parë për t’u zhvendosur erdhi në vitin 2001, kur menjëherë pas tragjedisë së 11 shtatorit, zona e Wall Street u “shkretua” për disa muaj.

Shumë kompani u zhvendosën përkohësisht në Nju Xhersi, ku vunë re se kishin mundësi të kursenin më shumë se në Manhatan. Sipas ekspertëve, ajo që tashmë po shndërrohet në një trend, që reflekton fytyrën e re të krizës, po kërcënon gjysmën e pozicioneve të niveleve drejtuese që ndërtojnë shtyllën kurrizore të punës në Wall Street. “Vende si Nju Jorku apo Londra do të vazhdojnë të jenë qendra financiare, por pjesa më e madhe e kompanive po përpiqen të transferojë një numër të konsiderueshëm punonjësish në qytete më të volitshme”,- shpjegon për Nju Jork Times, James Malick, partner i grupit “Boston Consulting”, që merren me zhvendosjen e bankave të biznesit.

Disa prej bankave kanë kohë që kanë nisur zhvendosjet. Kështu që prej fundit të vitit 2009, forca e punës së “Deutsche Bank” në zonën e Nju Jorkut është ulur nga 7.400 në 6.900 persona, ndërkohë që janë dyfishuar forcat në Jacksonville, duke shkuar nga 600 në 1.000. E njëjta gjë edhe për “Credit Suisse”, që vitet e fundit ka shkurtuar nga puna 500 punonjës të zyrave në Manhattan, duke punësuar 450 në Karolinën e Veriut. Nga ana tjetër punonjësit nuk dëshirojnë të kenë shkurtime të pagave apo të transferohen në qytete të vogla, duke lënë pas metropole si Nju Jorku. Tendenca e re pritet të ketë ndikime të thella në ekonominë e të gjithë shtetit të Nju Jorkut: vitin e kaluar industria e Wall Street ka kontribuar me 14% të hyrjeve fiskale në buxhetin e shtetit dhe largimi në masë i kompanive të mëdha mund të ketë pasoja të rënda mbi bilancin e shtetit.