DURRES Nobelisti i famshëm Dario Fo do të flasë shqip për katër ditë me rradhë në Durrës. Aktori i njohur Arben Derhemi dhe regjisori Milto Kutali do të sjellin para publikut durrsak një nga kryeveprat e dramaturgut të njohur Italian. Monodrama “Johan Padan dhe Amerikat” do të ngjitet në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” nga e enjtja në të dielë. Për rreth një orë e 40 minuta Arben Dehemi do të jetë i vetëm në skenë dhe do të sjellë para publikut durrsak 16 karaktere në 6 dialekte të ndryshme duke nënkuptuar kështu një sipërmarrje goxha të vështirë artistike. Në një intervistë për Durrëslajm.com Derhemi u shpreh se megjithë lodhjen rreth 4 mujore, para se ta sillte në skenë veprën, ndihet i kënaqur që arriti të interpretonte një vepër të dramaturgut të madh Italian Dario Fo.  Sipas tij, në një orë e 40 minuta publiku do të mendojë dhe do të qeshë duke menduar, nuk do të qeshë me barsoleta, nuk do qeshë me sajesa, por do qeshë duke menduar për një histori të vërtetë të njerëzimit botëror. Pas shfaqjes mjaft të suksesshme në Akademinë e Arteve, Kutali dhe Derhemi zgjodhën Durrësin për ta rivënë sërish në skenë pjesën pas rikthimit sërish në Tiranë; këtë herë në Teatrin Kombëtar.

Arben këtë herë vini në skenë një pjesë të vështirë të nobelistit Dario Fo. Ç’mund të na thoni më shumë për këtë monodramë dhe këtë eksperiencë tuajën?

“Johan Padan dhe Amerikat” është një nga veprat më të vështira të monodramës botërore, por është dhe një vepër me mesazhe të jashtëzakonshme, pasi të tilla janë veprat e Dario Fo. Vepra në fjalë nuk është vënë ndonjëherë më parë në skenat shqiptare dhe kjo është një sfidë për ne. Na u deshën shumë diskutime me regjisorin Milto Kutali se çfarë do të bënim, ndërsa po mendonim edhe për një vepër tjetër për të vënë në skenë. Më në fund mëdyshjet ikën dhe vendosëm për “Johan Padan dhe Amerikat”. Dua të theksoj se për ta interpretuar këtë pjesë duhet një fuqi jashtëzakonisht e madhe fizike, mendore dhe intelektuale. Besoj se ia kemi dalë mbanë. Në Akademinë e Arteve pjesa u prit shumë mirë dhe shpresoj që edhe këtu në Durrës publiku ta shijojë monodramën.

Është një monodramë që zgjat 1 orë e 40 minuta. Ju duhet të interpretoni 16 karaktere të ndryshme në 6 dialekte. Sa e vështirë ka qenë kjo për ju?

Jo më kot thashë më sipër se për ta interpretuar këtë pjesë duhet një fuqi jashtëzakonisht e madhe fizike, mendore dhe intelektuale. Një orë e dyzet minuta kur je vetëm në skenë dhe kur e merr përsipër këtë vepër është jashtëzakonisht e lodhshme për një aktor. Në fund të shfaqjes jam i dërrmuar fizikisht, por dhe i kënaqur emocionalisht. Janë 16 karaktere dhe më duhet të flas në gjashtë dialekte të shqipes. Duke vendosur karaktere të ndryshme në situata të ndryshme, komike, dramatike, tragjike, etj., vjen dhe momenti që ti gjen karakterin e duhur në shqip, dhe duke futur një karakter i jep shumë më tepër ngjyrë pjesës, shumë më tepër ndjejë, i jep shumë më tepër kënaqësi publikut që vjen të të shikojë.

Pse zgjodhët Durrësin për ta interpretuar këtë vepër?

Është një qytet shumë afër Tiranës dhe qyteti i dytë për bnga rëndësia. Duke e ditur që publiku durrsak është artdashës, mendoj se shfaqja do të na ecë mirë. Kemi bërë një organizim edhe me studentët e universitetit “Aleksandër Moisiu”. Shfaqjet e ditës së enjte dhe të premte do të jenë për ta dhe më pas fundjava do t’i dedikohet publikut durrsak.

Në qytete të tjera do ta vini monodramën në skenë?

Po, kemi marrë kontakte me shumë teatro sepse na kontaktuan vetë pas shfaqjes në Akademinë e Arteve. Kemi kontaktuar me Korçën, me Vlorën, me Shkodrën, Elbasanin etj. në të njëjtën kohë kemi kontaktuar edhe me 10 qytete kosovare që janë të gatshëm të shfaqin monodramën e Dario Fo-së. në të njëjtën kohë kemi kontaktuar me festival të ndryshme monodramash në Europë që shpresoj se shumë shpejt do përfshihen në axhendën tonë.

Projektet tuaja për të ardhmen?

Johan Padan është një arritje shumë e madhe dhe e tillë do të ishte për çdo aktor. Për mua është shumë e madhe, por nuk jam aq i dobët sa ti lë me kaq gjërat. Nuk dua të merrem me këtë projekt vetëm për disa muaj, por dua të merrem për disa vite rresht. Kështu që tani të gjitha enegjitë e mia janë përqendruar tek “Johan Padan dhe Amerikat”. Më vonë të shohim.