TIRANE – Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama priti në një takim të veçantë nobelistin për paqen Prof. Muhammad Yunus dhe ekipin që e shoqëron. Në bisedë me Ramën, nobelisti Yunus u ofrua të japë kontributin e tij në dy fusha, në ndihmë të biznesit social dhe arsimit profesional në Shqipëri. 

Po ashtu Muhammad Yunus e informoi kryesocialistin për 4 projekte të nisura tashmë në vendin tonë, të cilat kanë si objektiv mbështetjen e prodhuesve vendorë në bujqësi dhe prodhuesit e vegjël të artizanatit. 

Nga ana e tij Rama vlerësoi se mbështetja e prodhuesve në bujqësi dhe e artizanatit janë çështje mjaft të rëndësishme që zënë pjesë të konsiderueshme në programin e Partisë Socialiste. Kryetari i PS e informoi nobelistin Yunus lidhur me çka përmban Programin i Partisë Socialiste për heqjen e taksës së biznesit të vogël dhe balancim të investimeve në arsim në favor të arsimit profesional. 

Siç bën të ditur zyra e shtypit e PS-së, në këtë takim u ra dakord që ekipi i nobelistit Muhamad Yunus dhe i Partisë Socialiste të bashkëpunojnë në kuadër të Programit të “Për një Rilindje Shqiptare” për ta pasuruar këtë program sa i takon mënyrave alternative të mbështetjes që i duhet dhënë biznesit të vogël, sipërmarrjes në fshat dhe arsimit profesional.