Një libër i Nobelistes, Toni Morrison, mund të jetë një dhuratë e mirë leximi nesër, më 23 prill, në Ditën Botërore  të Librit.

“Zoti e ndihmoftë fëmijën” është publikuar nga shtëpia botuese “Dudaj” në fillim të këtij viti, vetëm pak muaj pas ndarjes nga jeta të autores Morrison, ndërsa ka ardhur në gjuhën shqipe nga përkthyesja durrsake Ivana Goga.

Një roman tejet i zjarrtë dhe provokues, “Zoti e ndihmoftë fëmijën!”, me ngjarje të vendosura në kohët tona, edhe pse ka në thelbin e tij ndërthurjen e disa jetëve të ndryshme, përcjell një dhe vetëm një mesazh: mënyra e rritjes dhe vuajtjet në fëmijëri, janë vendimtare në formimin ose deformimin e personalitetit të një të rrituri. I shkruar mjeshtërisht dhe i përshkuar nga një ironi e shëndetshme, romani i vitit 2014 dallohet edhe për tematikën e rëndësishme dhe gjuhën e veçantë.

Një vajzë e re, e cila e quan veten Brajd. Lëkura e saj e zezë me nuancë blu, shkakton çmeritje te njerëzit që e shohin për herë të parë. Por ngjyra e lëkurës së saj është vetëm një nga karakteristikat e bukurisë së saj të rrallë. Guximi, vetëbesimi dhe karriera e saj e suksesshme e kanë bërë të lakmueshme. Megjithatë, që sapo lindi, ngjyra e saj e zezë e bëri nënën e saj me lëkurë në ngjyrë të çelët e që nuk ka pranuar kurrë të hyjë në kategorinë e njerëzve me ngjyrë, që t’ia mohojë edhe formën më të thjeshtë të ngrohtësisë e dashurisë së natyrshme të një nëne. Pastaj vijnë me radhë: Bukër, djali të cilin Brajda e dashuron çmendurisht, por që e humbet pas një grindjeje të egër; Reini, një vajzë e vogël e bardhë, me një fëmijëri të hidhur e të dhunshme, të cilën Brajda e njeh rastësisht. Më së fundi vjen Zemra, nëna e Brajdës, së cilës i duhet një jetë e tërë që të arrijë të kuptojë se mënyra se si sillesh me fëmijën tënd, jo vetëm që është e një rëndësie të pakrahasueshme, por edhe lë gjurmë të pashlyeshme në formimin dhe botën e tyre emocionale. Dhe fëmijët nuk e harrojnë kurrë këtë.  

Toni Morrison 1931-2019) është pseudonimi i Chloe Anthony Wofford, i njërës prej shkrimtareve më të rëndësishme të kohës sonë.

Ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil.

23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor etj.

G. K.