Nodujt e tiroides janë masa solide (të forta) ose kistike (me përmbajtje të lëngët) që rriten në indin e gjendrës tiroide.
Ata mund të jenë beninj ose malinj dhe mund të evoluojnë me eutiroidi (funksion normal i tiroides), hipertirozë (hiperfunksion i tiroides) ose hipotirozë (hipofunksion i tiroides). Shumica e nodujve të kësaj gjendre, afërsisht, 95% janë beninj (jo-kancerozë) dhe vetëm një pjesë e vogël 5% janë malinj (kancerogjen).
Nodujt e tiroides janë më të shpeshtë tek femrat sesa tek meshkujt dhe frekuenca e tyre rritet me kalimin e moshës: 1 në 10 individë do të zhvillojë një nodus tiroidian gjatë jetës.
Shkaku i shfaqjes së nodujve të tiroides është jo komplet i zbuluar.
Shenjat dhe simptomat:
Nodujt e tiroides janë shpesh të zbuluar rastësisht gjatë ekzaminimit klinik (palpimi i tiroides gjatë gëlltitjes). Ato mund të prodhojnë vështirësi në gëlltitje (disfagia, odinofagia) si rezultat i komprimimit (shtypjes) së ezofagut; vështirësi në frymëmarrje (dispnea) si rezultat i shtypjes së trakesë, ngjirje të zërit (disfoni), dhimbje fyti ose probleme estetike (strumat voluminoze).
Këtyre manifestimeve klinike mund t’ju shtohen dhe shenjat e hipotirozës (lëkurë e thatë, rënie e flokëve, lodhje, rritje në peshë, edema të fytyrës dhe gjymtyrëve, intolerancë ndaj të ftohtit) ose të hipertirozës (rrahje të shpeshta të zemrës, palpitacion, shtim oreksi, djersë, rënie në peshë, ankth, pagjumësi etj).
Të sëmurët me hipertirozë shpesh ankohen për vështirësi në frymëmarrje pas një sforcimi të lehtë, kjo si pasojë e dobësisë së muskujve të frymëmarrjes. Ata mund të kenë shenja të dobësisë kockore nga humbjet e kalciumit dhe fosforit, kanë një dridhje fine të duarve që konstatohet vetëm kur preken nga jashtë.
Lëkura, si organi i rregullimit të temperaturës së trupit, merr një rëndësi të veçantë në sëmundjen e tiroides. Ajo është e ngrohtë, e butë dhe e njomë. Floku është i hollë, i thyeshëm, bie shpejt dhe thinjet para kohe. Thonjtë janë të thatë dhe në pjesët e tyre fundore fillojnë e çahen. I sëmuri mund të ketë ënjtje në pjesën e poshtme të kërcinjve.
Shtatzania ka një ndikim të favorshëm mbi këtë sëmundje. Në këto kushte mjekimi i saj mund të bëhet me doza të vogla antityroidienë dhe qetësues, por duhet të kihet kujdes, pasi këto ilaçe kalojnë barrierën placentate dhe mund të dëmtojnë fëmijën duke frenuar tiroiden e tij. Organet e tjera të organizmit ndikojnë në funksionin e shtuar të tiroides.
Lëvizshmëria e zorrës është e shpejtuar dhe rreth 1/3 e pacientëve kanë diarre. Në disa raste mund të ketë dëmtim të funksionit të mëlçisë me rritje të transaminazave dhe të bilirubinës në gjak. Hormonet e rritura të tiroides kanë ndikim edhe në metabolizmin e yndyrave dhe të sheqernave. Vërehet shpesh një ulje e kolesterolit, rritje e sheqerit në gjak, që shoqërohet me daljen e tij në urinë, ndërsa diabeti i sheqerit është gjetur në 2-3 për qind e këtyre të sëmurëve.
Përveç problemeve të mësipërme, tiroidja shkakton probleme edhe me sytë. Kjo haset në rreth 1/4 e këtyre pacientëve. Ndryshimet në sytë e të sëmurëve me Hipertirozë kanë veçoritë e tyre dhe variojnë nga format e saj të lehta e të mesme deri në dëmtime të rënda me dalje të kokërdhokëve jashtë, me ënjtje të kapakëve, skuqje, lotim, dhimbje me ndjenjën e rërës në sy, me vështrim të dyzuar të objekteve dhe deri në ulçeracion të kornesë nga pamundësia e kapakëve për të mbuluar dhe për të siguruar lagështinë e nevojshme të kokërdhokëve.
Sytë e këtyre të sëmurëve, dhe po të ushtrohet presion mbi ta, nuk shkojnë në pozicionin e tyre normal si pasojë e trashjes së muskulit të syrit dhe i grumbullimit të yndyrave në pjesën e prapme të tij.
Karakteristikat e mëposhtme rrisin probabilitetin që një nodus të jetë malinj (kanceroz)- nodus i fortë, i fiksuar me indet përreth, me përmasa të mëdha (ose që rritet shpejt). Ky nodus dhemb dhe shoqërohet me zë të ngjirur ose paralizë të kordave të zërit, me prezencë të gjendrave të qafës, me histori familjare të kancerit të tiroides (Carcinom tiroidian medular, papilar, folikular ose sindromul MEN-neoplazi endokrinë e shumëfishtë), predispozitë e seksit mashkull, moshës më të vogël se 20 vjeç ose më të madhe se 70 vjeç.
Ndërsa një nodus i butë me formë të rregullt, i lëvizshëm, jo aderent me indet përreth, me histori familjare të sëmundjeve autoimune (Tiroidite Hashimoto) ose strume që paraqet funksion jo normal të tiroides (hipo ose hipertirozë) është më tepër beninj.
Diagnostikimi
Nodusi i tiroides duhet ekzaminuar me:
Ekografi të tiroides – lejon identifikimin e nodujve, përmasat, përcakton nodujt suspekt (të dyshimtë) ose nodujt dominant në një strumë multinodulare.
Shintigrafia e tiroides – një nodus i nxehtë në 99% të rasteve është jo kanceroz; një nodus i ftohtë 5-8% të rasteve mund të jetë kanceroz.
Citopunksioni-FNA (fine needle aspiration) është ekzaminimi histopatologjik. Ai ka sensibilitetin dhe specifitetin më të madh dhe ndryshe quhet « standarti i arte ». Është një metodë e thjeshtë që kryhet me anë të një gjilpëre në kabinetin mjekësor dhe nuk kërkon anestezi. Për çdo nodus tiroidian është e indikuar FNA.
Bilanci hormonali tiroides – TSH dhe FT4 i cili tregon për ndonjë hiperfunksionim të formacioneve nodulare.
Mjekimi
Mjekimi i funksionit të shtuar të tiroides ka për qëllim të bllokojë prodhimin e tepërt të hormoneve të saj. Ky bllokim mund të bëhet në mënyra të ndryshme, në varësi të shumë faktorëve dhe kushteve që kanë lidhje me vetë të sëmurin, me formën e sëmundjes ose sipas praktikave të vendeve ose qendrave të ndryshme të mjekimit. Aktualisht më i përdorshëm është mjekimi me barnat antityroidienë.
1. Në rastet e masave malinje ose të dyshimta ose masa me përmasa më të mëdha se 4 cm dhe me fenomene të shtypjes -vështirësi në gëlltitje ose frymëmarrje – indikacioni është tiroidektomia totale, ose interventi kirurgjikal për heqjen e nodusit (Tiroidektomia e pjesshme). Komplikacionet e kësaj ndërhyrjeje janë: a) hipotiroza – vështirësi në të folur (disfonia) shpeshherë kalimtare
b) hipoparatiroza me hipokalcemi
2-Iodi radioaktiv për nodujt hiperfunksional
3- Mjekimi supresiv (frenues) me Levotiroxine
4-Mjekimi me antitiroidienë të sintezës (metimazol, propiltiuracil)
5-Ndjekje dhe rikontroll çdo 6-12 muaj për nodujt beninj dhe pa simptoma.
Pse sëmuren gjendrat tiroide
Ka shumë diskutime në lidhje me faktorët shpërthyes të kësaj sëmundjeje. Nga studimet e bëra ka rezultuar se streset e papritura ose të zgjatura, marrja e jodit me shumicë, apo dhe faktorët autoimune janë disa ndër shkaktarët që çojnë në funksionin e shtuar të gjendrës tiroide. Traumat psikologjike janë konsideruar si shkak në shumicën e rasteve. Dietat me rënie nga pesha të shoqëruara me marrjen e hormoneve të tiroides mund të pasohen me këtë sëmundje. Një shkak tjetër është marrja e jodit në sasi të madhe. Por dhe stimujt e tepërt nga hipofiza, si pasojë e një tumori të mundshëm të saj, mund të jenë përgjegjëse për rritjen e funksionit të tiroides.