TIRANË – Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, zhvilloi një takim pune me prefektët e qarqeve dhe përgjegjësit e zyrave të gjendjeve civile lidhur me realizimin me sukses të detyrimeve që Kodi Zgjedhor dhe ligji i ngarkon kësaj ministrie dhe strukturave në varësi të saj për listat e zgjedhësve dhe Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

Në takim, ku ndër të tjerë ishin të pranishëm edhe kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi dhe nënkryetari, Denar Biba, ministri i Brendshëm, Noka, nënvizoi se gjatë zgjedhjeve të vitit të ardhshëm do të punohet ngushtë edhe me PS-në për të garantuar një process të rregullt dhe të ndershëm.

“MB dhe strukturat në varësi të saj do të garantojë një klimë të shëndetshme bashkëpunimi me gjithë aktorët në proces, përfshirë këtu edhe bashkëpunimin që ka pasur dhe do të vijojë të ketë me Partinë Socialiste dhe ekspertët e saj në përputhje të plotë me kuadrin ligjor dhe standardet e OSBE-ODIHR sa i përket listave të zgjedhësve dhe Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile", u shpreh ministri Noka në takim

Udhëzimet sipas listave

Udhëzimi për hartimin e listave është ndërtuar, duke analizuar të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Kodi Zgjedhor, duke pasur parasysh zbatimin rigoroz të kuadrit ligjor, elementëve teknikë dhe afatet kohore, në të gjithë procesin e hartimit të ekstrakteve të përbërësve zgjedhorë dhe të listës së zgjedhësve. Ndër të tjera, i rëndësishëm mbetet respektimi rigoroz i kriterit numerik, që përcakton Kodi, i cili nuk lejon qendra votimi me më pak se 200 zgjedhës dhe me më shumë se 1 000 zgjedhës.

3 udhëzimet për listat

1 – Të ruhet cilësia maksimale e Listave të zgjedhësve, pasi dihen arritjet shumë të mira teknologjike, që mishërohen në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

2 – Të garantohen transparencën dhe ndërveprimin maksimal për këtë pjesë të procesit zgjedhor, duke synuar që realizimi i detyrave që i ngarkon Kodi MB dhe strukturave në varësi të saj të kapin standardet zgjedhore më të larta dhe më cilësore në gjithë procesin zgjedhor.

3 – “Udhëzimi në fjalë është një tjetër tregues i përkushtimit,  seriozitetit dhe agazhimit që ne kemi treguar dhe vijojmë të tregojmë në kuadër të realizmit për atë pjesë që nga ngarkon ligji, të zgjedhjeve konform standardeve më të mira dhe më të larta ndërkombëtare. Çdo i zgjedhur vendor apo nëpunës i gjendjes civile duhet të kuptojë qartë, se vetëm zbatimi rigoroz i ligjit garanton standardet e kërkuara gjatë procesit zgjedhor”, u shpreh Ndoka.