TIRANE– Ministri i brendshëm Flamur Noka ka deklaruar sot se menaxhimi i mirë i kufirit bëri që Shqipëria të mos jetë më vend tranzit drogave të rënda.
Duke folur në konferencën e organizuar nga policia e shtetit, Noka theksoi se menaxhimi i kufijve është esencial në bashkëpunimin ndërkombëtar.
“Që nga 2007 që u ngrit grupi për zbatimin e strategjisë për menaxhimin e integruar të kufijve ka pasur një sërë arritjesh. Menaxhimi i integruar i kufijve bëri të mundur që kufijtë tanë të jenë më të sigurtë dhe Shqipëria të mos jetë vend tranzit i drogave të forta. Është arritur që policia kufitare të godasë të gjithë përpjekjet e trafikantëve për futjen e drogave të lehta. Ne jemi të vendosur për një luftë me tolerance zero ndaj mbrojtjes së kufirit dhe goditjes së trafikantëve. Kufijtë janë të pakalueshëm për çdo element kriminal. Kemi patur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për ndihmën e pa kursyer në trajnime, asistancë teknike” theksoi Noka.
Sipas ministrit Noka qeveria është e vendosur të përmbushë të gjitha detyrat e saj në kuadër të proceseve integruese të vendit.
Ndërsa Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Hysni Burgaj e ka cilësuar si shumë të suksesshëm punën e bërë nga policia kufitare për menaxhimin e kufirit.
Sipas Burgajt, gjatë vitit të kaluar janë kapur 624 persona të shpallur në kërkim, 180 mijë euro të padeklaruara si dhe 115 raste të falsifikimit të dokumentave.