TIRANË, 11 prill 2013– Sot u zhvillua takimi Vjetor për Parandalimin dhe Luftën kundër Kultivimit të Bimëve Narkotike. 

Ministri i Brendshëm, Flamur Noka vlerësoi punën e policisë në luftën kundër drogave dhe trafikut të tyre, duke pranuar se duhet të vijojë puna në luftën kundër kultivimit të brendshëm të kanabisit. 

Në një konferencë në prani të drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj dhe ambasadorit të OSBE-së, Wolfarth, Noka ka deklaroi se Ministria që ai drejton dhe qeveria shqiptare e kanë konsideruar dhe e konsiderojnë prioritet absolut luftën kundër dograve dhe trafikut të tyre. 

“Angazhimi maksimal i punonjësve të Policisë së Shtetit, vullneti i hekurt politik, lufta dhe përkushtimi kanë bërë që Shqipëria të mos jetë më korridori i preferuar për drogat e forta nga ana e trafikantëve. Në këtë aspekt viti 2012 është premtim tjetër i mbajtur i Policisë së Shtetit në luftën kundër drogave”- tha ai. 

Sipas Nokës, viti që mbeti pas shënoi rezultate pozitive edhe në asgjësimin e kanabisit. Ai theksoi se në gjithë operacionet nga ajri në bashkëpunim me homologët është kanë provuar se sipërfaqja e mbjellë me kanabis është përgjysmuar në raport me vitin 2011. 

Ndërkohë që sipas tij edhe në raportet ndërkombëtare theksohet se sasitë e heroinës apo kokainës që arrijnë nga Shqipëria në brigjet italiane janë të papërfillshme në raport me sasitë që trafikoheshin dikur.