DURRES, 12 prill 2013– Porti i Durrësit është porta më e madhe hyrëse në vendin tonë, por ajo është një portë e mbyllur për trafiqet dhe kontrabandën.
Kjo ka qenë deklarata e bërë nga ministri i Brendshëm Flamur Noka gjatë vizitës që kreu në terminalin e pasagjerëve të portit të Durrësit.
Ministri Noka shoqërohej gjatë kësaj vizite nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Nicholas Cannon dhe nga krerë të lartë të Policisë së Shtetit si dhe asaj të Kufirit.
Ministri Noka dhe ambasadori Cannon kanë parë nga afër të gjitha etapat nëpër të cilat kalon kontrolli i pasagjerëve dhe automjeteve në portin më të madh në vend.
Ministri i Brendshëm tha se lufta ndaj trafikut të paligjshëm është prioritet i policisë dhe strukturave të tjera të rendit, ndërkohë që premtoi tolerancë zero ndaj çdo fenomeni negativ që kërcënon kufinjtë.
Ambasadori i Mbretësisë së Bashkuar në Tiranë Nicholas Cannon, është shprehur i impresionuar nga siguria portuale dhe profesionalizimi i efektivave të policisë së kufirit.
Ai e ka konsideruar një nga detyrat kryesore të çdo qeverie luftën kundër trafiqeve të paligjshme.
Kohët e fundit, në portin e Durrësit janë regjistruar rezultate konkrete në parandalimin e trafikut të lëndëve narkotike dhe trafiqeve të paligjshme.
Policia kufitare ka mundur të bllokojë sasi të mëdha lënde narkotike të llojit cannabis sativa në dy vitet e fundit, gjë që i atribuohet instalimit të teknologjisë moderne në këtë port.
/e.a. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





