TIRANË– “Shqipëria nuk është më vend tranzit i drogave të forta”. Deklarata vjen nga ministri i Brendshëm Flamur Noka, i cili gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë theksoi se lufta me tolerancë zero ndaj trafiqeve të drogës ka bërë që Shqipëria të mos jetë më vend tranzit dhe kultivues i drogës.
Ministri bëri me dije se janë sekuestruar 13 milionë euro asete kriminale, ndërkohë që llogariten rreth 2500 vepra penale në krimin ekonomik të zbuluara. Sipas Nokës, lufta kundër krimit ekonomik, korrupsionit dhe konfiskimit të aseteve të krimit është prioriteti kryesor i qeverisë.
“Lufta kundër krimit ekonomik, korrupsionit dhe konfiskimi i aseteve të krimit është prioriteti ynë. Janë sekuestruar 13 milion euro nga asetet e krimit nga 7 milionë euro që janë sekuestruar një vit më parë. janë hetuar 95 zyrtarë për korrupsion ndërsa 49 prej tyre janë arrestuar”, deklaroi ministri Noka.