I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar u ka bërë thirrje institucioneve shqiptare që ta shqyrtojnë ‘Non Gratën’ e Sali Berishës, pasi është i bazuar në fakte dhe prova.

“Vendimi për ta përcaktuar atë ishte një vendim institucional. Nuk ishte një vendim individual dhe nuk ishte një vendim politik. Ishte një vendim që ne e morëm për shkak të korrupsionit që gjetëm. Unë do t’u bëja thirrje institucioneve në Shqipëri ta shqyrtojnë këtë.

Por dua të them, se ne ende kemi partnerë të mirë në Partinë Demokratike, ne duam që Partia Demokratike të jetë një kontribues i fortë dhe i rëndësishëm i stabilitetit politik në Shqipëri.

Unë do t’u bëja thirrje mbështetësve të Partisë Demokratike të mendojnë për imazhin që përcjellin, nëse do të kishin në krye njerëz, që janë përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion”, tha Escobar për Zërin e Amerikës.

Intervista e plotë:

Në Departamentin e Shtetit është duke u zhvilluar në këto momente dialogu strategjik midis qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë Shqiptare. Në takimin mes dy qeverive marrin pjesë përfaqësues nga një sërë institucionesh qeveritare. Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, që mbulon politikën amerikane për Ballkanin Perëndimor, bisedoi pak para fillimit të takimit me Shefin e Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës Arben Xhixho, mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe gjendjen e demokracisë në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Escobar, cilat janë çështjet kryesore që do të diskutohen në dialogun e sotëm strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Do të thoja gjithshka që ka të bëjë me marrëdhëniet dypalëshe. Ky është takimi më i rëndësishëm mes përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësuesve të Shqipërisë në historinë moderne. Ne do të kemi përfaqësues nga Departamenti i Shtetit, Departamenti i Mbrojtes, ai i Tregëtisë, Korporata Financiare për Zhvillimin Ndërkombëtar, si dhe agjenci të tjera qeveritare për të gjetur rrugë për të thelluar bashkëpunimin strategjik. Në vitet e fundit Shqipëria është bërë një partner shumë i besueshëm për Shtetet e Bashkuara. Shqipëria luan një rol të rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe atë në Evropë. Tani që Shqipëria është anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vendi është bërë një faktor stabiliteti global. Pra është e rëndësishme që të vazhdojmë të bashkërendojmë qëndrimet tona.