Kryetari i opozitës, Sali Berisha, i është drejtuar me një letër të hapur ambasadorit britanik në Tirane, zotit Alastair King – Smith, pas reagimit që ambasada pati ndaj qëndrimit të tij për shpalljen “non grata” nga Britania e Madhe. Berisha thotë se ndaj këtyre akuzave nuk ka dhe nuk ka për të pasur fakte.
“Në mungesë të fakteve, në vend të ndjesës publike, në këtë reagim mbrohen shpifjet vulgare të letrës në emër të Sekretarit të Brendshëm, në të cilën unë akuzohem për korrupsion, dmth përdorimin e pushtetit për pasurimin tim dhe rrethit tim, për të cilat nuk keni sjellë dhe nuk do mund të sillni kurrë asnjë provë dhe fakt të vetëm për arsyen e thjeshtë se të tilla nuk ekzistojnë”.
Berisha thotë se në letrën e Sekretarit britanik të Punëve të Brendshme, e vetmja gjë konkrete është shtetasi britanik Damir Fazllic, ish-këshilltari i tij elektoral në zgjedhjet e vitit 2005, që sipas letrës, rezulton se ai e ka pasuruar dhe mbrojtur kur i dolën prova inkriminuese. Duke shpjeguar se hetimet ndaj Fazlliç nuk provuan asnjë nga akuzat, Berisha e pyet ambasadorin se si mund të ngrihen akuza ndaj tij për lidhje me Fazlliç, kur vetë Fazlliç nuk rezulton i dënuar në Britaninë e Madhe për këto akuza.
“E gjej tendencioz dhe absurd përdorimin për akuza ndaj meje të emrit të një qytetari britanik, i cili nuk ka qenë kurrë i dënuar në vendin tim, dhe në dijeninë time as në vendin tuaj, dhe që nuk ka përfituar kurrë as dhe një cent nga qeveria ime, dhe që pas largimit tim nga pushteti ka vazhduar të bëjë investime të rëndësishme në Shqipëri. Me këtë rast ju vë në dukje se përdorimi për të me akuzuar mua për korrupsion i emrit të një qytetari britanik, i cili nuk ka qenë kurrë i dënuar në vendin tim, dhe në dijeninë time as në vendin tuaj, përbën një fyërje për çdo shqiptar, për çdo britanik, per çdo europian, për çdo amerikan dhe për çdo qytetar të botës që beson në prezumimin e pafajësisë, parim i sanksionuar qe nga Magna Carta, dhe pas saj në të gjitha dokumentat e tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, por që Ju ua mohoni një qytetari të vendit Tuaj, me qëllim shpifjen ndaj një personi tjetër”.
Kryetari i Partisë Demokratike thotë se akuzat e ngritura në këtë forme përbejnë një skandal dhe kanë për qellim vetëm t’i zgjasin ditët qeverisë së Edi Ramës.
“Kjo përbën një skandal të rëndë dhe akt të mirëfilltë korruptiv, që ka për qëllim final të zgjasë ditët e qeverise më të korruptuar dhe inkriminuar të Europës”.
Ish-kryeministri Berisha thotë se nuk do reshtë së luftuari për të bindur shqiptaret se korrupsioni, krimi i organizuar dhe shitblerja e votës janë armiqtë e lirisë, demokracisë, dinjitetit dhe të ardhmes së tyre.
Ai e mbyll letrën e tij duke i vënë në dukje ambasadorit heshtjen e tij për rekordet me të zeza të narkoqeverisë që po zbraz Shqipërinë më shumë dhe më shpejt sesa një lufte dhe se ai është i vetmi zyrtar në botë që artikulon akuza të tilla ndaj tij. Berisha e sfidon ambasadorin që çdo provë, fakt apo dokument t’i paraqesë pranë gjykatave shqiptare ose britanike.





