Durrësi, Blendi dhe Nora mendojnë se është vendi më i mirë për të pushuar fëmijët e tyre të vegjël e për t’u argëtuar në stinën e nxehtë.

Bashkë janë njohur kohë e kohë më parë, që në periudhën kur ai drejtonte Ministrinë e Kulturës dhe që nga ajo ditë jeta e tyre ka ndryshuar katërcipërisht. Tashmë ata janë një familje, e kompletuar madje. Në përshkrimin tonë është në fokus këtë herë çifti simpatik Nora dhe Blendi Klosi. Një vështrim i shpejtë në të përditshmen e tyre brenda dhe jashtë politikës si edhe vëmendjen për më të vegjëlit, dy fëmijët e tyre. Mund t’i cilësoja fare mirë si shumë të këndshme minutat e kaluara me Norën, bashkëshorten e Blendi Klosit, teksa bashkë u takuam në një prej lokaleve pranë shtëpisë së saj tek Rruga e Elbasanit. Ajo është shumë e qeshur, e çiltër për gjithçka, edhe kur unë e pyes mbi shumë gjëra që ajo nuk do të dëshironte të fliste. Me shumë dashuri flet për fëmijët dhe Blendin, duke e shpjeguar me detaje gjithçka u ndodh në një ditë të zakonshme. 
 

Mes 2 fëmijëve 

“Tashmë jemi me dy fëmijë, ndryshe nga një vit më parë”, – thotë Nora duke vijuar se me një fëmijë situata menaxhohet shumë kollaj ndërsa dy, bëjnë një diferencë shumë të madhe dhe gjithçka bëhet më e lodhshme. “Është një impenjim shumë i madh. Kur Ambla lindi, Aroni ishte shumë i vogël, vetëm një vjeç e gjysmë. Nuk e kuptonte apo perceptonte dot gjithçka ndodhte përreth. Mërzitjet ishin shumë të shpeshta fillimisht, xhelozohej nga prania e një bebi tjetër në shtëpi i cili qante vazhdimisht. I dukej si një kukull e vogël, një lodër e lezetshme. Tani sa më shumë rritet, aq më shumë e kupton që bebi që është në shtëpi është motra e tij. I duket vetja si i rritur dhe vetvetiu i është krijuar ndjesia e mbrojtjes. Ka në çdo kohë sensin e xhelozisë. Është situatë e komplikuar, por që do kohën e vet të kalojë”, – tregon ajo. 

Për fëmijët çifti Klosi e kishin dëshirë të hershme që t’i kishin me pak diferencë në moshë, vetëm një vit e gjysmë. Aroni, i cili është fëmija i madh ka më tepër vëmendje, pasi siç tregon dhe vetë Nora, ai është në fazën më të bukur që kanë fëmijët. Mosha 2-3 vjeç është momenti më i bukur që spikat tek fëmijët teksa ata tentojnë të flasin për gjithçka e mundohen të kuptojnë shumë nga sa shohin përreth. Madje edhe shtatzënia e parë ka falur më shumë emocione për ata. “Qëkur mbeta shtatzënë me vajzën, e kisha gjithçka shumë të njohur. E dija si do ndodhte, çdo fazë, çdo etapë. Aroni na ka dhuruar shumë emocione, na ka mbushur me të tilla. Që në momentin që mësuam për shtatzëninë e deri kur lindi, ka qenë emocion i papërshkrueshëm. Pra me vajzën, gjërat ishin të njohura për ne dhe ndryshimi i vetëm ishte seksi, që bëhej fjalë për vajzë”, – thotë bashkëshortja e Klosit. Të kishin një vajzë apo një djalë të dytë për ata nuk kishte asnjë problem, madje Nora rrëfen se veten po e përgatisnin fillimisht për djalë, në mënyrë që të mos zhgënjeheshin. “Më ka ndodhur të dëgjoj se kur shumë çifte mësojnë për seksin e fëmijës së dytë, mërziten apo dëshpërohen kur nuk del ashtu siç ata e kishin parashikuar. Për mua jo. Nuk është asnjë problem. Për më tepër që tani ndihem mëse e realizuar. Kam një djalë dhe një vajzë. Do ishte e tmerrshme të mërzitesha. Kudo ka gëzim, është gëzim shumë i madh”. 

Në 3 korrik Ambla festoi vitin e parë të lindjes në një atmosferë të bukur të krijuar enkas për të në Durrës. Një festë e këndshme mes shumë fëmijëve të tjerë, në një ambient si në përralla. Festë në familjen Klosi për më të voglën e tyre, e cila porsa ka nisur të hedhë hapat e parë. Blendi e Nora ndajnë me lexuesin tonë fotot e shkëputura nga kjo ditëlindje, ku vihet re lehtësisht lumturia në familje. 
 

Zgjedhjet dhe mungesa e Blendit në familje 

Nora vijon të na rrëfejë se fushata zgjedhore ka bërë që Blendi të mos ishte gati fare i pranishëm në shtëpi. Tre muajt që paraprinë zgjedhjet ishin një periudhë shumë e ngarkuar për të aq sa orët e vona të natës e gjenin në shtëpi. “Ne tani po e shijojmë Blendin në familje. Ishte një periudhë vërtet intensive dhe tejet e lodhshme për të. Fëmijët që e kërkonin. Djali është shumë i lidhur pas Blendit. Madje edhe kur qan, atë përmend. Fëmijët nisën ta kërkonin shumë gjatë periudhës që ai nuk ishte prezent. Pra, është puna dhe pozicioni i tillë, që patjetër të bëjnë të kuptosh se duhet mësuar me të tilla situata”, – tregon ajo. E diela është dita që i mbledh të gjithë bashkë dhe siç është cilësuar nga vetë ata, e diela është e gjitha e fëmijëve. Por nuk mungojnë edhe pasditet kur janë të lira për të argëtuar fëmijët në qendra tregtare apo edhe në Durrës. Madje Durrësi po kthehet gati në destinacion të përjavshëm për fëmijët, duke qenë se Blendi Klosi është deputet i Partisë Socialiste në qytetin e Durrësit. Kjo ka bërë që një shtëpi me qira në qytetin bregdetar të ishte ideja më e mirë për të qenë pranë detit, por edhe familjes së bashkuar. 

Përsa i takon vetë Norës, sigurisht që me lindjen e dy fëmijëve gjërat kanë ndryshuar dhe puna në televizionin “Klan” si producente apo drejtimi i shumë projekteve të tjera, të ndiqen më pak e me periudha më të reduktuara. Ajo tregon se në ditët që i është dashur të punojë deri në pasdite vonë, ka marrë në punë edhe të birin, i cili argëtohet pa masë teksa ndjek koncertet apo muzikën që interpretohet. “Nuk jam më Nora e parë në punë. Iku ajo kohë kur isha shumë e disponueshme për gjithçka. Rrija deri në orët e vona duke punuar. Tani nuk mundem. Nuk e përballoj dot. Është e pamundur me dy fëmijë. Tani për tani kështu do të jetë. Ndoshta për pak kohë, me rritjen e Amblës gjërat do të ndryshojnë e unë do të jem më prezente në punën time. Unë nuk dua që vetëm t’i shijoj fëmijët duke i mbajtur të tjerët. Dua që të eci hap pas hapi me ta, të qëndroj me ta, sidomos në tre vitet e para të formimit të karakterit të tyre. Më duan mua, ju duhem unë, ndaj dhe jam shumë e përkushtuar”, – shpjegon ajo. 
 

Blendi Klosi në kabinetin qeveritar? 

Nora qëndron shumë indiferente ndaj këtij fakti, madje tregon se të shoqin e sheh në një këndvështrim krejt ndryshe. “Gjithmonë më ka ndodhur të më pyesin njerëz dhe unë gjithmonë e mendoj njësoj. E shoh Blendin si individ, jo si politikan, fokusohem tek ai si burri i shtëpisë, si babai i fëmijëve dhe harroj e lë mënjanë gjithçka tjetër. Nuk e shoh dot ndryshe. Në fokusin tim është vetëm ai në familje. Çfarëdo pozicioni të ketë, për mua rëndësi ka që të gjejë kohën për fëmijët e familjen. Si deputet, si në qeveri, për mua pak rëndësi ka kjo pjesë. Është me tip, dhe tipi im është kështu”. 

Pjesa që ajo e sheh më tepër të shoqin është imazhi dhe veshja. “Duke qenë se burrat janë shumë neglizhentë, tek veshja e shoh shumë. Konsultohemi për të zgjedhur ato që i shkojnë më shumë për shtat”, – shprehet ajo duke vijuar se përsa i takon shoqërimit në dreka apo darka të ndryshme zyrtare, nuk ka dëshirë ta bëjë. Sipas saj, janë dy botë të ndryshme personash me personazhet dhe rrethanat që kanë ndaj dhe profesionet janë krejtësisht të ndryshme. Nuk do dëshironte ta shoqëronte veç vendeve ku është e detyruar të jetë apo takimet e darkat me miqtë e përbashkët, të cilat të dy i dëshirojnë shumë. Ndërsa për fushatën Nora thotë me bindje se nuk e ka shoqëruar fare bashkëshortin. “Nuk kam ndikuar fare në fushatën elektorale të Blendit. Nuk kemi krijuar atë marrëdhënie të dy. Patjetër që e kam mbështetur dhe i kam dhënë suportin tim, por nuk kam bërë më shumë se kaq. Unë jam shumë e lidhur pas fëmijëve, u përkushtohem përgjatë gjithë kohës atyre. Ama me bindje them: Blendi ka bërë vërtet shumë për Durrësin, puna e tij është për t’u admiruar”. 
 

Përjetimi i fitores së PS 

“Ishin ditë shumë intensive për ne ditët e zgjedhjeve. Dita e zgjedhjeve dhe shpallja e rezultateve më pas”. Ndërsa Blendi qëndronte pranë zonës së kandidimit, kudo që numëroheshin vota, Nora nga ana tjetër ishte një monitoruese e mirë e televizioneve, pa i shpëtuar asgjë. “Blendi kishte një bindje të fortë se e majta do të fitonte dhe çdo votë të numëruar e ka ndjekur me shumë entuziazëm. Fitorja e thellë e së majtës ishte një kënaqësi e papërsëritshme dhe kemi folur shumë shpesh në telefon teksa më shprehej i kënaqur me rezultatin e arritur”, – na tregon. 
 

Kujtimi më i keq 

Kanë qenë të tmerrshme për Norën 3 muajt e parë të shtatzënisë me djalin, ndërsa Blendi ishte pjesë e grevës së urisë së Partisë Socialiste në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. “Isha në një fazë delikate, tre muajshe shtatzënë dhe Blendi ishte në momente të vështira, kishte probleme. Duhet të isha e qetë, por ndërkohë qaja shumë. Të afërmit më thonin mos qaj, unë ndërkohë shihja në mënyrë të vazhdueshme në ekran tim shoq që tretej çdo ditë, i dobësuar shumë dhe ç’është më e keqja, me probleme me diabetin. Ai më thonte të mos shihja TV, sepse do mërzitesha shumë dhe nuk më bënte mirë, ndërkohë që kjo ishte e vetmja gjë që unë bëja. Ditë të vështira shumë, por që morën fund. E ka shumë shpirtërore botën e politikës Blendi. E bën gjithçka me shpirt”, – vijon ajo. 
 

Pushimet 

Më e vogla do të jetë dhe më e privuara e familjes, pasi çifti do të udhëtojë më tepër me djalin që edhe pse i vogël, vetëm 2 vjeç e gjysmë, konsiderohet si i madhi. Mes pushimeve në Durrës, do të jetë prezent edhe një udhëtim në Kanada, ku Blendi Klosi do të jetë i pranishëm në dasmën e së motrës. E duke mbetur tek Durrësi (qyteti “nën vëzhgim” për të), Blendi dhe Nora mendojnë se është vendi më i mirë për të pushuar fëmijët e tyre të vegjël e për t’u argëtuar në stinën e nxehtë.

/summerpages/