Nora, si fëmija e parë e familjes Istrefi, ka qenë pika e dobët e të atit, Nezir Istrefi, i cili është ndarë nga jeta 13 vjet më parë. Të gjithë e dinë tashmë se motrat Istrefi nuk janë rastësisht të suksesshme. Ato vijnë nga dy prindër të botës së artit, nëna këngëtare, ndërsa i ati një kameraman profesionist dhe personazh i televizionit.

Jo më kot, kujtimet e fëmijërisë, për Norën janë gjithmonë sa të bukura, aq edhe të trishta. Mungesën e të atit, me gjithë vitet që kanë ikur, këngëtarja nga Prishtina ende nuk e pranon dot dhe nuk pajtohet me brengën që ai i ka lënë familjes së saj.

E emocionuar dhe e përlotur ka reaguar edhe kur ka parë një foto të hershme të familjes, e ftuar në programin “n’Za”, në ekranin e RTK-së.

Pasi moderatorja hapi zarfin ku fshihej fotoja e saj e fëmijërisë, Nora nuk e fshehu emocionin: “Kjo fotografi më ngjall kujtime shumë të mira. Jam unë, babai, mami, Nita dhe Era. Blendi nuk kishte lindur akoma. Këtu kemi qenë në Ulqin, plazh. Ka qenë koha pak më e ftohtë dhe kemi dalë për të ecur. E mbaj mend si sot. Nuk di ta shpjegoj sa të mira janë ato momente të fëmijërisë me motrat, me prindërit e aq më tepër me babin tim të ndjerë, i cili nuk jeton më”, – rrëfen këngëtarja.

“Nuk pajtohem dot me faktin që ai nuk jeton më me neve. Kam aq shumë kujtime të mira familjare, saqë  do të kisha shumë dëshirë edhe fëmija im t’i përjetojë, si edhe çdo fëmijë. Sa herë shoh këto foto, më ngjallin shumë kujtime të mira, por edhe mërzitem në anën tjetër, shumë, kur i shoh fotot me babin…” – tregon Nora e mallëngjyer nga mungesa e të atit./class