Presidenti rus Vladimir Putin mirëpriti kancelaren gjermane dy ditë më parë, me një buqetë me lule, në rezidencën e tij të pushimeve, në Fshatin Olimpik, Sochi.
Tema kryesore e bisedës ka qenë marrëveshja për ndërtimin e tubacionit Nord Stream 2, që pritet t’i mundësojë Rusisë eksportimin e një sasie shumë më të lartë të gazit natyror, në Europën Perëndimore.
Pavarësisht përplasjeve që Moska ka pasur me vendet europiane për shkak të aneksimit të Krimesë, Putin i ka dhënë Merkelit garancitë se projekti i tubacionit ruso-gjerman do të zbatohet shumë shpejt.
Takimi Putin-Merkel zhvillohet disa ditë pasi presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk postoi një koment të fortë në Twitter me kritika të rrepta ndaj vendimit të Presidentit Trump për të braktisur marrëveshjen bërthamore me Iranin.
Zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësim për projektin e tubacionit, duke thënë se kompanitë e angazhuara për ndërtimin e tij mund të ndëshkohen me sanksione.