Nga Artan Hoxha
KENDVESHTRIME MBI ZGJEDHJET
Zgjedhjet e 23 qershorit mund të shihen, e në fakt po shihen nga këndvështrime të ndryshme: e djathtë / majtë; vazhdimësi / rrotacion; anti-Ramë / anti-Berishë dhe pozicione të tjera këndvështrimi. E përbashkëta e këtyre këndvështrimeve është parashikimi dhe / ose parapëlqimi se cila nga dy palët do apo duhet të fitojë.
Por ka edhe një këndvështrim, i cili është i pavarur nga parashikimi dhe / ose parapëlqimi për rezultatin e zgjedhjeve, e ky është këndvështrimi i zgjedhjeve si përballje mes normalitetit dhe ekstremizmit.
KUSHTET BAZE PER NORMALITET PASZGJEDHOR
Pas zgjedhjeve do të kemi aq më shumë shanse për normalitet e aq më pak për ekstremizëm nëse përbërja e Kuvendit të ardhshëm do të plotësonte sa më mirë dy kushte të njëkohshme: i) cilido që do të qeverisë të jetë i detyruar të qeverisë me një koalicion sa më pluralist e të pasur me faktorë, tej një peshe kritike, me prirje sa më të fortë drejt normalitetit në mënyrë që qeverisja ta ketë sa më të vështirë të ekstremizohet vetiu si nevojë e partisë së madhe e liderit përkatës duke u vënë nën kërcënimin e braktisjes nga aleatët; ii) cilido që do të bëjë opozitën të mos ketë mundësi ta kontrollojë atë, pra edhe opozita duhet të jetë sa më pluraliste dhe e pasur me faktorë, tej një peshe kritike, me prirje sa më të fortë drejt normalitetit, në mënyrë që opozita ta ketë sa më të vështirë të ekstremizohet vetiu si nevojë e partisë së madhe e liderit përkatës, si dhe në rastin e opozitës pluralizmi i saj duhet të mundësojë, përmes një grupimi faktorësh brenda saj, edhe miratimin e ligjeve me 84 vota, pra t’i heqë cilitdo mundësinë e bojkotimit të proceseve reformuese dhe integruese.
Ndërsa dy kushtet veçmas janë të qarta për lexuesin e vëmendshëm, njëkohshmëria e tyre është e domosdoshme pasi mjafton që njëri kusht të mos plotësohet e, për këtë shkak, ai krah politik të ketë mundësi të ekstremizohet e kështu të shkaktojë ekstremizimin e krahut tjetër si kundërveprim.
Ky përfundim del edhe nga katër vitet e shkuara, kur edhe pse qeverisja ishte një koalicion i detyruar PD&LSI&PR&PDIU, dhe pra s’kishte mundësi të vetekstremizohej, fakti që Edi Rama mund të kontrollonte i vetëm opozitën, i krijoi kushtet të impononte metodën e tij të opozitarizmit ekstremist e, për pasojë, katër vitet e shkuara u karakterizuan si vite konfliktualiteti dhe destruktiviteti politik.
E njëjta eksperiencë tregon se një parti, edhe pse e vetme e veç me një deputet – PBDNJ e Vangjel Dules – asnjëherë nuk përqafoi ekstremizmin e Edi Ramës. Ky fakt ushqen idenë se nëse edhe në të majtë do të kishim pasur disa faktorë të këtillë si PBDNJ, ekstremizmi i Edi Ramës do të ishte dekurajuar ndjeshëm e ndoshta nuk do të ndodhte fare.
ANALIZA E PLOTËSIMIT TE KUSHTEVE PER NORMALITET NGA SUBJEKTET ZGJEDHORE NE GARE
Për të arritur në konkluzionet mbi shanset e normalitetit kundrejt ekstremizmit pas zgjedhjeve duhet që kushtet e mësipërme t’i analizojnë duke u nisur nga profili i sotëm i garuesve për të parë se sa gjasa ka që ato të plotësohen në shërbim të normalitetit paszgjedhor kundër ekstremizmit.
Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim (APMI)
Kompozimi i kësaj aleance garanton pluralizmin në shkallë të kënaqshme të saj në Kuvendin e ardhshëm. Në grupin e kandidatëve me kualifikim të sigurt u futën dy ministrat e rinj, Halim Kosova dhe Visar Zhiti, ish-kryetari i Partisë Demokratike Eduard Selami, gjashtë kryetarë të partive aleate, tre ish-socialistë, ndër të cilët veçohet shtetari Kastriot Islami, i larguar nga Edi Rama për shkak të konsekuencës së tij kundër ekstremizmit opozitar të këtyre katër viteve. Ndërsa kryetarët respektivë janë të sigurt, partitë e vogla aleate të PD kanë shanse të nxjerrin edhe ndonjë deputet tjetër, që do ta përmirësonte edhe më shumë pluralizmin me elemente antiekstremistë të përbërjes kuvendore të grupit APMI, ndaj, me shumë gjasa, ky grup do të jetë një faktor normaliteti qoftë në qeverisje e qoftë në opozitë, përveç rastit nëse do të sulmohet qëllimshëm e do të detyrohet të vetëmbrohet.
Aleanca për Shqipërinë Europiane (ASHE)
Rasti i këtij grupimi është më i koklavitur. Në formësimin e listës së kandidateve të partisë së tij, Edi Rama eliminoi këdo që u mbeti besnik parimeve të tij kundër ekstremizmit opozitar, pavarësisht se veproi ndryshe, si Kastriot Islami, apo mendoi ndryshe, si Arben Malaj apo Marko Bello.
Ndërsa bëri hapin e madh të aleancës me LSI, nga të thënat e të bërat duket se për Edi Ramën, LSI u bë domosdoshmëria e mbijetesës së tij, ndaj afrimi me LSI s’përbën argument se Edi Rama ka hequr dorë dhe/ose ka ndonjë pendesë mbi kostot që i shkaktoi vendit ekstremizmi i tij katërvjeçar.
Mospërfshirja e kryetarëve të partive aleate në listën e PS, siç bëri Sali Berisha në anën tjetër, përveçse tregon që Edi Rama është një mosmbajtës përsëritës i premtimeve, do të shkaktojë, me shumë gjasa, edhe mungesën e pluralitetit të grupit të ardhshëm kuvendor të ASHE, mungesë kjo që i rrit shanset për sjellje ekstremiste qoftë në qeverisje e qoftë e veçanërisht në opozitë.
Në këto kushte, i vetmi faktor që do të kontribuonte në normalitetin e ASHE do të ishte Ilir Meta dhe LSI e tij, rol që do të varet nga pesha që do të ketë në Kuvend. Me një numër të njëjtë deputetësh si në rastin e qeverisjes me PD, pra me katër deputetë, LSI do të ishte më e aftë të ruante normalitetin në qeverisje duke kushtëzuar numrin prej 71 deputetësh dhe mjaft më pak e aftë deri aspak e aftë ta luante këtë rol në opozitë me kaq pak deputetë.
Për rrjedhojë, përbërja e sotme e ASHE premton shumë më pak garanci për normalitet krahasuar me APMI dhe shumë më tepër rrezik për ekstremizëm pas zgjedhjeve.
Aleanca Kuqezi (AK)
AK e Kreshnik Spahiut, që nisi dhe u rrit si forcë politike ekstremiste e nacionalizimit folklorik, duket se po shkon drejt rrudhjes, dhe ky është një lajm i mirë për normalitetin paszgjedhor. Largimet e shumta prej AK drejt PS tregojnë edhe se dimensionet e perceptuara të AK ishin të tejfryra, veçanërisht për shkak të kredisë organizative, njerëzore dhe mediatike të Edi Ramës, i cili tashmë po merr mbrapsht çka kreditoi, duke risjellë në PS faktorët dhe individët ekstremistë. Ndaj, çka ekstremizmi humbet nga rrudhja e AK e rifiton te PS, dhe kjo e bën PS edhe më të prirë drejt ekstremizmit pas zgjedhjeve, e pra ky është një lajm i keq për normalitetin paszgjedhor.
Fryma e Re Demokratike (FRD)
FRD e Bamir Topit, pa kaluar as edhe një vit nga krijimi, zhgënjeu disa nga nismëtarët e mbështetësit që shpresonin se kishin ngritur një parti alternative demokratike të pasunduar nga kryetari. FRD u shfaq së fundi siç nisi, siç ishte, siç është e siç do të jetë sot e mot partia e Bamir Topit, njësoj si simotrat e saj në të majtë a të djathtë, të mëdha a të vogla. Si e këtillë, FRD premton nesër në qeverisje apo opozitë, të sillet si kryetari i saj, i cili, me ambicien dhe/ose inatet e veta, u bë, në mos pjesë, inkurajues i ekstremizmit opozitar të Edi Ramës në katër vitet e shkuara. Mjafton këtu të kujtojmë sjelljen e Bamir Topit para, gjatë dhe pas 21 janarit 2011 e ta krahasojmë me sjelljen e ambasadorit Arvizu, i cili, siç edhe kam shkruar më parë, u soll siç do të duhej të ishte sjellë Bamir Topi.
Përjashtuar votuesit të lidhur me interesa të drejtpërdrejta me këtë parti a me një inat të thekur kundër Sali Berishës, vështirë se FRD do të përthithte vota të të djathtëve konstruktivë që nuk pranojnë braktisjen e shtetit nën sulm a inkurajim të sulmit mbi shtetin e s’do kishte kuptim të përthithte votat e të majtëve ekstremistë që sulmuan shtetin pasi këta, më parë se për Bamir Topin, do të votonin për Edi Ramën. Ndaj, FRD dhe Bamir Topi, për aq sa do kenë peshë, ka gjasa të jenë anti-Berishë ekstremistë qoftë në bashkëqeverisje me ASHE, qoftë në bashkopozitë me ASHE e qoftë jashtë Parlamentit.
Arben Malaj
Arben Malaj, tashmë i mbështetur edhe nga Fatos Nano, përbën një fenomen e faktor më vete me peshë kombëtare, pavarësisht se kandidon në Vlorë. Ai i qëndroi besnik opozitarizmit konstruktiv, e për këtë shkak u eliminua nga Edi Rama. Vetë Arben Malaj duket nuk e humbi shpresën se opozitarizmi i tij, ndonëse i ndryshëm nga ai i Edi Ramës, do të vazhdonte të kishte vend në Partinë Socialiste. Kujtimet e një Partie Socialiste që ruante ekuilibrat mes mendimeve e qëndrimeve të ndryshme ia mbajtën gjallë iluzionin. Ky ishte gabimi i tij. Nga ana tjetër, Edi Rama gaboi kur mendoi se Arben Malaj do të pranonte të “vdiste” politikisht veç me një fshirje nga lista. Arben Malaj është ekspert e politikan karriere, i bërë vetë, pa pasur nga pas ndonjë lidhje familjare me nomenklaturën e lartë ish-komuniste. Ai e çau vetë rrugën e tij qoftë si ekspert e qoftë si politikan, dhe në vazhdimësi është shquar për ide dhe qëndrime mëse normale. Nëse sjellja e tij ka qenë më shumë në favor të normalitetit e paqes, karakteri i tij, jo vetëm nuk është i dobët, por përkundrazi, në situata të vështira shfaq tiparet e karakterit të fortë, ndoshta edhe për shkak të origjinës labe, e pra, s’kish se si të imagjinohej se Arben Malaj do të dorëzohej pa “luftë”. Ky ishte gabimi i Edi Ramës, gabim të cilit i shtohet edhe lista e zhbalancuar në qarkun Vlorë, ku spikasin me shumicë, në pjesën e garantuar të saj, përfshirë edhe vetë Edi Ramën, kandidatët me origjinë poshtë Qafës së Llogorasë dhe mungojnë kandidatët me origjinë mbi këtë Qafë, gabim ky që i jep gjithashtu edhe një avantazh vendor Arben Malajt. Për të gjitha këto, Arben Malaj, nëse kualifikohet si deputet, s’ka se si, duke qenë e duke mbetur i majtë, të mos jetë edhe faktor normaliteti i qeverisjes apo opozitës së ardhshme të ASHE.
PERFUNDIM
Balanca mes normalitetit dhe ekstremizmit, pavarësisht nga rezultati zgjedhor, ndonëse duket se është në favor të normalitetit, mbetet e brishtë, kryesisht për shkak të defekteve në koalicionin ASHE.
Zgjedhësit e djathtë e që dëshirojnë rritjen e shanseve për normalitet, tek APMI shohin se realizohen vetiu e njëkohësisht të dyja synimet e tyre dhe kanë mundësi që duke votuar partitë e vogla aleate, ta forcojnë edhe më shumë pluralizmin kuvendor të APIM. Në këtë koalicion mund të orientohen edhe disa votues të majtë, të cilët, ashtu si Kastriot Islami, vlerësojnë se Edi Rama shkoi shumë larg me ekstremizmin e tij dhe ai duhet ndëshkuar me votë, apo që Edi Rama kaloi çdo kufi arrogance me largimin e deputetëve Kadeli e Dogjani a lënien jashtë të Agron Dukës e disa të tjerëve, arrogancë që gjithashtu meriton të ndëshkohet nga të majtët konstruktivë e fjalëmbajtur.
Zgjedhësit e majtë me prirje antiekstremiste, në këto zgjedhje kanë më shumë në dorë se ata të djathtë të kontribuojnë në favor të normalitetit pas zgjedhjeve duke kompensuar zhbalancimet e ASHE. Pa qenë nevoja të kalojnë votat tek APMI, t’i çojnë kuturu apo të mos marrin fare pjesë në zgjedhje, dhe pra, duke i shërbyer mundësisë së një rrotacioni, të cilin, nga këndvështrimi i tyre e konsiderojnë të domosdoshëm a të dobishëm, e njëkohësisht duke votuar sa më shumë faktorët normalizues të së majtës: LSI; Arben Malajn; partitë aleate të PS (por duke përzgjedhur mes tyre ata liderë e parti që kanë shfaqur sjellje më pak ekstremiste) e duke votuar sa më pak listën e Edi Ramës, këta votues të majtë e konstruktive do të kontribuonin njëkohësisht edhe për normalitet paszgjedhor.
Sa për simpatizantët e ekstremizmit, pavarësisht nga krahu, ata, si gjithnjë, s’heqin dorë nga huqi dhe është e kotë t’u flasësh, e po kështu atyre që votën e lidhin me interesa të ngushta personale.
http://www.panorama.com.al/2013/05/16/normalitet-apo-ekstremizem-paszgjedhor/





