Norovirusi ka shkaktuar shqetësim në turneun olimpik të hokejit mbi akull për femra në “Milano-Cortina 2026”, duke detyruar organizatorët të ndryshojnë kalendarin dhe të forcojnë masat shëndetësore. Problemet nisën te përfaqësuesja e Finlandës, ku 13 lojtare rezultuan të infektuara ose u vendosën në izolim. Si pasojë, ndeshja e shumëpritur ndaj Kanadasë u shty dhe u riprogramua për 12 shkurt, pas një vendimi të përbashkët mes IOC-së, organizatorëve dhe Federatës Ndërkombëtare të Hokejit.

Situata u përhap edhe te Zvicra, e cila konfirmoi një rast pozitiv dhe vendosi karantinë parandaluese për të gjithë ekipin. Masat e rrepta bënë që skuadra zvicerane të mungojë në ceremoninë hapëse në “San Siro”, edhe pse stafi mjekësor shpreson në rikthimin normal të ekipit për ndeshjen ndaj SHBA-së. Hokeji për femra është një turne që ka nisur para hapjes zyrtare të Lojërave dhe karakterizohet nga kontakt i lartë fizik, faktor që rrit rrezikun e përhapjes së virusit. Deri tani, përfaqësuese si Çekia nuk kanë raportuar raste.

Nga ana mjekësore, norovirusi nuk konsiderohet i rrezikshëm, por përhapet lehtësisht në ambiente të mbyllura. Simptomat e norovirusit janë të vjella, diarre, të përziera dhe dhimbje stomaku, shpesh të shoqëruara me temperaturë të ulët, dhimbje koke dhe dhimbje muskujsh. Organizatorët dhe IOC theksojnë se protokollet janë në zbatim dhe se situata po monitorohet nga afër. Turneu vazhdon nën masa të shtuara sigurie, ndërsa norovirusi ka lënë tashmë gjurmë në akullin olimpik të “Milano-Cortina”.