Çmimi i Madh i Hungarisë në Formula 1 është mbyllur sot me suksesin e Maks Vershtapen, i cili ka dominuar garën që pas kthesës së parë e deri në fundin e saj.
Për holandezin, ishte triumfi i 7 radhazi në këtë kampionat dhe ai ngriti lart trofeu mëse të merituar teksa festonte në podiumin e pistës pranë Budapestit.
Por trofeun në fjalë nuk e gëzoi shumë gjatë, pasi atë ia theu Lando Norris, piloti i cili e mbylli garën i dyti, teksa pilotët po festonin me shampanjë.
Britaniku i MekLaren përplasi me forcë shishen e shampanjës në podium për ta hapur dhe nga tronditja, trofeu i Vershtapen ra në tokë dhe u thye.
Një skenë humoristike për të cilën nuk mbajtën të qeshurat as vetë Vershtapen me shokun e tij të skuadrës, Serxhio Perez, të cilët në ato momente po festonin me shampanjë gjithashtu.