DURRËS, 31 mars 2013 – Dy njerëzit më të fuqishëm të regjimit komunist, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, djemtë e tyre inxhinierë i çuan të punonin në Durrës.
Është interesant fakti që ky qytet i konsideruar si kampion “indiference”, që nuk zhvillonte si duhet luftën e klasave në raport me Tiranën dhe qytete te jugut, ka qenë i parapëlqyer për familjet e emërtesës së kuqe, jo thjesht për pushime, por edhe për të jetuar dhe punuar.
Nga ana tjetër, duke pasur si strategji të zhvillimit ekonomik përqendrimin e ndërmarrjeve më të rëndësishme me lëndë të para importi për shkak të shpenzimeve të ulëta të transportit, Durrësi ishte ideal dhe për faktin se ndodhej pak kilometra larg kryeqytetit.
Fëmijët kështu dilnin nga qerthulli i ngushtë i familjes dhe bllokut për të fituar njëfarë pavarësie.
Ndërkohë liderëve u sillej dhe njëfarë informacioni më i sigurt për jetën e njerëzve dhe nevojat e ekonomisë.
Sipas ish-drejtuesit të URT-së Bashkim Kopliku njëri nga djemtë e Mehmet Shehut, Vladimiri, ka kontribuar së tepërmi me ndikimin e tij tek i ati kryeministër për zhvillimin e industrisë elektronike.
E njëjta gjë mund të thuhet për njërin nga dy djemtë e Enver Hoxhës.
Në librin e tij me kujtime “Babai im, Enver Hoxha” Iliri citon fragmentin e një letre që i ati i dërgonte në gusht 1975 kur punonte në UMB:
“Për ato makinat e tharjes së misrit, disa shokë këtu më thanë se nuk janë të leverdishme, harxhojnë shumë karburant dhe duhet që misri të shkoqet më parë. Nuk e di si është kjo punë. Shikojeni njëherë me shokët inxhinierë dhe punëtorë, a mund të kthehen me qymyr, në rast se kushton më pak?”
“Dyrrah”-u sjell për lexuesit fragmentin e librit që ai e titullon “Durrësi – përvojë që la gjurmë të pashlyera në jetën time”, kurse mes-titujt janë të agjencisë së lajmeve.
Pse inxhinier mekanik
Durrësi zë një vend të veçantë në mendjen time, jo aq si qytet, por më tepër nga njerëzit që jetojnë atje, disa prej të cilëve unë i njoh nëpërmjet punës që bëra si inxhinier në uzinën e mekanikës bujqësore.
Zhvillimi i industrisë mekanike po zinte vend me rëndësi në ndërtimin e Shqipërisë dhe kjo ishte dhe arsyeja që babai më rekomandoi Fakultetin c Inxhinierisë Mekanike. Në këtë kohë filloi dhe zhvillimi i industrisë së ndërtimit të makinerive bujqësore në Durrës. Me këtë lidhet dhe fillimi i punës nga unë për herë të parë në këtë degë të rëndësishme për bujqësinë. Një arsye tjetër ishte që unë të punoja jo në Tiranë, po në një qytet tjetër, për të më krijuar pavarësi nga familja dhe njohje më të mirë me punën dhe njerëzit.
Dita e parë e punës më 3 janar
Më 3 janar 1973 u paraqita në uzinën e mekanikës bujqësore në Durrës, te drejtori Pavllo Roko, i cili më priti si një inxhinier të ri dhe më caktoi në një nga repartet e uzinës, në atë të eksperimentimit një nga më të rëndësishmit, sepse projektonte tipa makinerish për bujqësinë, të cilat, pasi ndërtoheshin si ekzemplare, provoheshin në fusha, u ndreqeshim defektet, merrnin një aprovim në ministrinë e bujqësisë, dhe kështu përgatisnim prodhimin për vitin e ardhshëm. Në këtë sektor, megjithëse drejtor Pavlloja punonte pa u lodhur, se e kishte pasion, edhe ne inxhinierët e rinj, si Fatmiri dhe unë kemi mësuar shumë nga ai. Kemi qenë nga inxhinierët e parë të kësaj uzine. Më vonë asaj iu shtuan dhe 20 të tjerë. Ndjenim një kënaqësi të veçantë kur punonim, sepse atë që krijonim e vinim në jetë, e ndërtonim, e eksperimentonim, për to bisedonim me fshatarët, të cilët i mirëprisnin këto makineri që kryenin disa procese bujqësore.
Interesimi
Babai me pyeste për prodhimin e tyre dhe ishte shumë i interesuar. Diskutonim për kooperimin, që në atë kohë çalonte shumë, për mosrespektimin e kontratave ndërmjet ndërmarrjeve, për mënyrën, rrugët dhe vështirësitë për porositjen e lëndëve të para, për leverdishmërinë ekonomike në përgjithësi dhe për ndonjë makinë apo impiant në veçanti, siç ishte, për shembull, impianti i tharjes se misrit, që harxhonte naftë, e cila ishte deficitare. Në një rast babai, nga pushimet, shprehte preokupacionin e tij, duke më shkruar ndërmjet të tjerave në letër:
“… Me punë si vete? Jam në merak. Për ato makinat e tharjes së misrit, disa shokë këtu më thanë se nuk janë të leverdishme, harxhojnë shumë karburant dhe duhet që misri të shkoqet më parë. Nuk e di si është kjo punë. Shikojeni njëherë me shokët inxhinierë dhe punëtorë, a mund të kthehen me qymyr, në rast se kushton më pak?…”
14 gusht 1975
Në sajë të punës së palodhur të punëtorëve dhe inxhinierëve, të kolektivit të mrekullueshëm të uzinës mekanike bujqësore, gjatë viteve që unë punova atje, uzina zhvillohej dhe i realizonte me sukses detyrat që i ngarkoheshin për prodhimin e makinerive bujqësore dhe të pjesëve të këmbimit për to.
Profili “L. 20 x 20 x 5”
Ashtu siç punonte seriozisht, po ashtu ky kolektiv kishte një harmoni ndërmjet pjesëtarëve që e përbënin. Kisha krijuar miqësi me të gjithë dhe bënim shakara me njëri-tjetrin, shpesh me ngarkesa të forta humori.
Më kujtohet Kristaqi, që një ditë po dilte i vetmuar nga dera e uzinës, ndërsa ne po rrinim aty pranë, me gjithë drejtuesit kryesorë të ndërmarrjes.
“Ku po shkon”, i thashë.
“Do të shkoj të gjej profil L. 20 x 20 x 5, se më mungojnë në repart dhe nuk mbyll dot planin. Hajde dhe ti”.
Drejtori, që ishte i interesuar të mbyllej plani sa më parë, më tha:
“Shko dhe ti, Ilir, se po të jesh dhe ti do t’ia japin më kollaj, se të njohin”.
U nisëm të dy bashkë dhe pasi ecëm pak në një rrugicë, për të cilën unë nuk dija se të shpinte në ndonjë ndërmarrje, ku ne mund të kërkonim materialin që na mungonte, u futëm në një klub shumë të vogël. Morëm nga një birrë të ftohtë e një suxhuk. Pasi kishim mbaruar, i thashë se ku do ta gjenim profilin që na duhej.
“E morëm, pra, – tha Kristaqi: – 20 lekë birra, 20 lekë suxhuku dhe 5 lekë një gjysmë panine (se aq ishin çmimet atëherë), të gjitha së bashku janë fiks: L. 20 x 20 x 5. E kemi si kod ne, punëtorët, që të mos na e marrin vesh drejtuesit, por ty po ta tregoj, se e dimë që je joni”.
Qeshëm me të madhe. Dhe sa herë e shihja kur dilte, me të qeshur e pyesja:
“L 20 x 20 x 5?”
“Po, – më përgjigjej, – do të vish?”.
“Vazhdo se kam punë, një herë tjetër”.
“Asgjësimi” i pulës
A mund të harrohet Suati, që kishte punuar si furnitor nëpër fshatra, dhe tani ishte furnitor i uzinës dhe bëhej copë për të gjetur materialet që i nevojiteshin, por nuk harronte të ndihmonte dhe fshatarët, me të cilët kishte punuar dikur. Trokiste në derën e zyrës:
“Ilir, një pulë e pjekur po sillet rrotull. Ma ka sjellë një fshatar. Do ta asgjësojmë?”
Dhe të tre merreshim me “asgjësimin” e pulës në “poligon”.
“Zuku” si “benz”-i
Më kujtohet Luli, shoferi i “zuk-ut” shkatarraq, me të cilin bridhnim anë e mbanë Shqipërisë, nëpër fusha duke ndjekur eksperimentimin e makinave bujqësore, që nuk na la njëherë në mes të rrugës. I thosha Lulit:
“Ç’e ke këtë makinë kështu”.
“Mos e shaj, – më thoshte, – se dy gjëra i ka si të bencit: sistemin e drejtimit dhe frenat. Të tjerave varju hejbet!”
Ai nuk pinte pije alkoolike asnjëherë në mëngjes, vetëm pasdite, pas orarit të punës, ndërsa shoferi i drejtorit, Osmani, pinte që në mëngjes. Ne e ngacmonim dhe i thoshim që të mos pinte, se do ta kapte policia, por ai mburrej se nuk e kapnin dot, se i njihte të gjithë.
Plor apo brisk
Më kujtohet inxhinier Feriti, që në atë kohë ishte drejtor, që e pashë të mërzitur një dite, ku sapo ishte kthyer nga ministria e bujqësisë, ku nuk i kishin pranuar kushtin teknik të plorit të plugut, me pretekstin se tehu duhej më i mprehte se 0.5 mm.
“Mos u mërzit, – i thashë. – Nuk e kuptoj pse nuk e kanë pranuar, se ai tokën do të punonte. Apo e donin për të rruajtur mjekrën?”
Ai qeshi me të madhe.
Kur u takuam një dite pas 20 vjetësh dhe u pyetëm për “gjendjen që ndodheshim” në fazën e tranzicionit që po kalonim, ai ma rikujtoi historinë që përshkrova dhe qeshëm përsëri me të madhe.
Më kujtohet dhe Selami Deliallisi, saldator i përkryer, i persekutuar në atë kohë, ndërsa unë i persekutuar në këtë kohë. Shkonim mirë ahere, shkojmë mirë dhe tani.
Më kujtohet Besniku, punëtor dhe piktor, me “biografi të dyshimtë” nga ana e gruas. Atëherë e pata ndihmuar, tani më ka ardhur e vizituar si në shtëpi, ashtu dhe në burg.
Vullnetarët për Metalurgjikun
Po më kujtohet një mbledhje. Ajo duhej të nxirrte një inxhinier nga UMB-ja vullnetar për të punuar në Metalurgjikun e Elbasanit. E kush ishte ai durrsak që largohej nga qyteti i tij me dëshirë! Na mblodhën të gjithëve. 20 inxhinierë, dhe secili do të jepte arsyet për të mos vajtur. Drejtoria dhe byroja e partisë do të na dëgjonte dhe pastaj do të vendoste për “fatkeqin” që do t’i “binte lotaria”. Pretendimet ishin të ndryshme. Inxhinieret gra, që ishin dy, thanë se ishin dakord, se e dinin që s’i çonte njeri, sepse ishin të martuara. Pandi, që ishte 45 vjeç dhe bënte stazhin e partisë, tha:
“Unë jam gati të shkoj ku e kërkon atdheu, po fjalën e ka rinia”, duke lënë të nënkuptohej që mos u merrni me mua, se jam plak.
Dhimitri, me të cilin më vonë punuam së bashku dhe në institut në Tiranë, nxori pretekstin që kishte të dy pleqtë në pension dhe duhej të qëndronte bashkë me ta.
Kishte edhe shumë pretendime të tjera, që dilnin nga inxhinierët. Më në fund më pyetën dhe mua, gjithmonë si me shaka, sepse unë isha i transferuar në Durrës dhe s’kishin ndërmend të më transferonin përsëri në Elbasan. U përgjigja:
“Edhe mua prindërit më kanë mbushur moshën e pensionit, por nuk i lënë të dalin në pension, sidomos babanë”.
Të gjithë qeshën dhe mbledhja u mbyll.
Ndeshjet e Muhamet Aliut
Së bashku me Gëzim Nushin, i cili punonte në uzinën e televizorëve si inxhinier, jetonim në një nga shtëpitë e plazhit të Durrësit. Pothuajse çdo mes jave takoheshim me shokët që njiheshim që në Tiranë, që kishin mbaruar universitetin bashkë me mua dhe puna na kishte shpërndarë në rrethe të ndryshme. Vinte Tata, Gimi, Canci, Alqi, që ishin të përhershëm, por edhe të tjerë, si Ladi, Neli, Leko e shumë të tjerë, pavarësisht se jeta, në rrethana të caktuara, që nuk vareshin prej nesh, na ndau. E kalonim shumë mirë mbrëmjen deri natën vonë, duke biseduar e duke diskutuar, duke ngrënë e pirë e duke treguar histori. Shikonim dhe ndeshjet e Muhamet Aliut, të cilat zhvilloheshin në ora 2-3 të natës, duke bërë tifo për të. Ndonjëherë vinim dhe bast kush lahej në det në mes të natës, por aq më tepër kur ishte mesi i dimrit. Pastaj shtronim dyshekët në dhomë e flinim ato pak orë gjumë që kishin mbetur për t’u ngritur herët në mëngjes, që secili të kapte trenin për t’u shpërndarë nëpër rrethet ku punonin, ndërsa ne për në uzinat përkatëse në Durrës.
Emigranti
Më kujtohet dhe një shoku im durrsak, me të cilin gjithmonë shkonim mirë dhe pastaj që iku siç ikën shqiptarët dhe tani është rregulluar në Itali. Një ditë u takuam. Kishte ardhur për babanë e tij, se e kishte sëmurë dhe erdhi në Tiranë për të më takuar mua, mbasi e dinte për vështirësitë që kishim kaluar. Bile më tha:
“Ma sill djalin tënd të madh në Itali dhe mos ki merak fare, se e mbaj unë në shtëpinë time, si djalin tim, apo nuk kemi dhe të njëjtin mbiemër, që vështirë se italianët e kuptojnë”.
E falënderova për këtë gatishmëri të sinqertë të tij.
Këta, por dhe shumë të tjerë, që të më falin që nuk po ua përmend emrat, megjithëse në mendjen time i kujtoj gjithmonë, janë njerëzit që unë kam njohur e kemi punuar së bashku në Durrës dhe gjithmonë ruajmë miqësinë me njeri-tjetrin, që as koha e as situatat nuk i prishin dot.
*Marrë nga libri i Ilir Hoxhës “Babai im, Enver Hoxha” (kujtime, letërkëmbim, publicistikë), shtëpia botuese EXTRA, Tiranë 1998
/th. m. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





