Tiranë, 27 shkurt 2014– Mesatarja e notave të tre viteve të gjimnazit do të ketë më shumë peshë për nxënësit që do të vazhdojnë shkollën e lartë. Ministria e Arsimit ka rritur vlerën e saj në 26% që përafërsisht përllogaritet 40 pikë, kur vitet e fundit fituesi është ndarë edhe me gjysmë pike. 

Për të rezultuar kalues në test gjimazistët këtë vit duhet të kalojnë një prag pikësh, të cilat do të bëhen të ditura përpara provimit.

Gjuha e huaj si provim me detyrim është një tjetër ndryshim i parashikuar në maturën shtetërore, por këtë vit nota e saj nuk do të përllogaritet në formulën për të fituar universitetin. 
Për të administruar më mirë provimin dhe shmangur kopjen, gjimnazistët mendohet t’i nënshtrohen testit në auditoret e universiteteve, por se sa do të realizohet kjo mbetet për t’u parë, pasi në të njëjtën kohë me shkollat e mesme shkollat e larta kanë sezonin e tyre e sallat duhet t’i kenë në dispozicion.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/