Ka lindur në një qytet bregdetar dhe dashuria për notin nuk kishte sesi të mos brumosej tek ai që në moshë të vogël.

Tani kur është 18-vjeç, notari i Teutës Ediljano Huna është Kampion i Shqipërisë për të Rinjtë dhe të Rriturit, sukses që kërkon ta përsërisë edhe në kampionatin e ardhshëm, që do të mbahet në fund të këtij muaji.  

Një vit më parë, në kampionatin Kombëtar për të rinj dhe për të rritur, Huna grumbulloi 1186 pikë në garat 400 m dhe 800 m Stil i lirë, ku u shpall “Notari më i mirë”.

“E kam nisur notin nga dëshira ime, por edhe nga dëshira e prindërve më tepër, sepse e kanë pasur qejf, se noti në Sarandë ka qenë traditë. Unë jam nga Saranda. Kam rreth 8 vite që ushtrohem. Këtu kam 3 vite që stërvitem me profesor Jurgenin. Kam ecur shumë mirë. Jam kampion Shqipërie”,- thotë ai për “DurrësLajm”.

I riu nga Saranda, që prej 3 vitesh është bërë pjesë e ekipit të Teutës stërvitet rregullisht në pishinë dhe palestër, pasi objektivi i tij i radhës janë jo vetëm kompeticionet kombëtare dhe ato evropiane, por edhe Olimpiada e Los Anxhelosit, në Kaliforni, në vitin 2028.

“Objektivat e afërta janë thyerja e rekordit në 400 m stil i lirë në pishinë 25m dhe 50m, ndërsa objektivi i largët janë Lojërat Oilmpike 2028. Atje shpresoj që të shkojmë bashkë me trajnerin”,- rrëfen Huna.

Për trajnerin e tij Jurgen Fici, Huna është një nga të rinjtë më premtues të Teutës, por edhe të notit shqiptar.

“Dua të veçoj notarin Ediljano Huna, që do të marrë pjesë në Kampionatin Kombëtar në fund të këtij muaji. Ai është pretendent edhe për në Olimpiadën e vitit 2028 në Los Anxhelos. Po stërvitet fort“.

Me disiplinën e hekurt dhe stërvitjen e vazhdueshme, 18-vjeçari Huna synon të rendisë emrin e tij mes gjigantëve të notit të Teutës, që kanë bërë historinë e notit shqiptar.

M.B.