Fu Juanhai është një notare kineze që është bërë e famshme në Rio 2016, jo thjesht për paraqitjet e saj të mira në pishinë (ka fituar një medalje bronzi), por mbi të gjitha për sensin e humorit dhe një sinqeritet habitës, aq sa në Kinë më shumë po krenohen me të, sesa me atletët që kanë fituar medalje të arta. Para pak ditësh videot e saj bënë xhiron e botës, kur televizioni kinez e intervistonte pas garave, me një moment komik kur notarja nuk e dinte fare që kishte dalë e treta dhe po bënte autokritikë, para se gazetari ta korrigjonte dhe ta sqaronte që kishte fituar medalje bronzi. Fantastik reagimi i kinezes, e cila e shtangur u përgjigj: “Dola e treta? Aaaaa, atëherë nuk qenkam paraqitur aq keq!”. Spektakli i saj nuk mbaroi aty, sepse në garën e 4×100 metrave në skuadër, ku Kina doli e katërta, ishte pikërisht 20-vjeçarja ajo që mori përsipër fajin e dështimit, duke treguar një sinqeritet paasnjë precendent në Olimpiadë dhe duke prekur një temë që ka qenë tabu deri tani: menstruacionet dhe femrat që garojnë edhe kur i kanë ato. “Nuk mendoj se u paraqita mirë sot. Më duket se e zhgënjeva skuadrën time. “Isha dobët për shkak se dje më nisi cikli, ndaj isha shumë e lodhur, edhe pse ky nuk është justifikim, unë nuk notova mirë”. Fjalë që e kanë shtuar edhe më shumë famën e Fu Juanhait, që tashmë është kthyer në një fenomen në Kinë e jashtë saj, me vlerësime pa fund për guximin dhe çiltërsinë e saj, që e kanë bërë të respektohet më shumë sesa fituesit e medaljeve të arta.